Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të marrë masa ndaj Kamela Vojkës, drejtoreshës së Shërbimeve Qeveritare.

Titullarja e kësaj agjencie u përfol gjatë kësaj vere kur presidenti Nishani shprehu publikisht shqetësimin se ajo i mohoi atij të drejtën për të pushuar në vilën qeveritare të Dhërmiut.

KLSH thotë se sipas një auditi të ushtruar nga 1 janari 2014 deri më 31 korrik 2015 janë gjetur disa shkelje. Për këtë arsye i ka përcjellë një kërkesë kryeministrit Rama për të nisur procedurat disiplinore ndaj saj.

Në korrespondencën e saj, Vojka deklaronte se vila në Dhërmi nuk ishte e përshtatshme se po i nënshtrohej rikonstruksionit, por në fakt punime nuk kishte në këtë objekt.

Pas kësaj përplasjeje, kreu i shtetit, Bujar Nishani, pushoi në zonën e Shëngjinit.