Partia Socialiste e Shkodrës nuk po kalon një moment të mirë, të paktën sa u takon marrëdhënieve të kryetarit të partisë, Edi Rama me deputetët e zonës. Komandimi i dy personave të rinj në krye të punëve të partisë dy javë më parë, nuk është pritur mirë nga Namik Kopliku, i cili në një intervistë për “Shqiptarja.com” thotë se kritikat e Edi Ramës ndaj punës së tij dhe Mimoza Hafizit nuk janë realiste, madje shumë subjektive. Ai thotë se kryeministri lavdëron pa të drejtë deputetin Paulin Stërkaj, që sipas tij, është i parapëlqyeri i Ramës.
“Për mendimin tim, Rama e ekzagjeroi punën e shkëlqyer të Partisë Socialiste të Malësisë së Madhe, Pukës dhe Fushë Arrëzit, në mënyrë komplet të padrejtë dhe në mënyrë akoma më të padrejtë përçmoi dhe nënvlerësoi punën e bërë nga PS Shkodër, si në zonën urbane ashtu dhe në atë rurale. Ose ka qenë i painformuar ose e kaloi masën e nënvlerësimit për punën që është bërë nga deputeti që po ju flet dhe nga zonja Hafizi. Puna ka qenë korrekte, serioze, medoemos me mangësi”, thotë ndër të tjera deputeti socialist.