Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetët Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës.

Pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Aktakuzën nuk e ka kundërshtuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se veprimet e tyre ishin politike, e kjo kriminale.

“E kuptoj aktakuzën dhe padyshim nuk e kundërshtoj si të tillë për faktin se 2015-2016 Kosova është përballur me dy projekte shumë të dhimbshme, ka qenë obligim i yni si deputet që të ndërmarrim veprime protestuese në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të merren parasysh”, ka thënë Haxhiu, raportojnë mediat në Kosovë.