Kryeministri Rama u prit sot, në selinë e qeverisë në Jerusalem, nga homologu Benjamin Netanyahu, ku për mbi dy orë u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimit në fusha të interesit reciprok, me theks në energji dhe në sektorin e ujit. Në fokus ishte edhe rritja e ndërveprimit në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm, në mbrojtje të vlerave dhe popujt tanë nga ky kërcënim.
“Ky vit shënon 25 vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike, por miqësia jonë është e bazuar në një histori fantastike të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë luftës së pushtimit nazist, dhe ne jemi krenarë që kemi qenë një vend ku asnjë hebre nuk ra në duart dhe nazistëve dhe ku ata gjetën strehë dhe mbështetjeje mes shqiptarëve të feve të ndryshme. Ka shumë histori të familjeve myslimane në Shqipëri të cilat morën në mbrojte familjet hebreje”, tha Rama.
Kryeministri Netanyahu nënvizoi miqësinë midis dy popujve, e cila ka spikatur veçanërisht në periudha kyçe të historisë dhe i shprehu Kryeministrit mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për kontributin në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”, u shpreh kryeministri Netahyahu, gjatë prononcimit të përbashkët pas takimit.