Në seancën e fundit në Kuvend, deputeti Taulant Balla dorëzoi në emër të kryeministrit Rama një amendament për ligjin për medaljet. Sipas tij, kërkohet heqja e medaljeve për të gjithë ish-byroistët, drejtuesit e komunizmit dhe ata që kryen tortura e urdhëruan përndjekje të shqiptarëve në vitet e diktaturës.
Ky hap vjen pas debatit publik mbi dekoratat e dhëna një vit më parë nga Ministria e Mbrojtjes për persona që kanë kryer detyra të regjimit, mes tyre edhe shefi i sigurimit që torturoi at Zef Pllumin.
Javën që kaloi, gjatë një takimi në Shkodër, Rama bëri falje publike, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin Berisha se i kishte shpërblyer me rritje pensioni të njëjtët persona.