Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belina Balluku në takimin zhvilluar me anëtarë të Partisë Socialiste në Tiranë tha se në PS ka mësuar se si funksionon partia.

Gjatë bisedës, ajo theksoi se nuk është penduar për rrugën që ka zgjedhur për t’ju bashkuar Partisë Socialiste, ndërsa tregoi dy momente që e kanë bërë të qajë në këtë rrugëtim të saj.

“Më kujtohet një moment në mbylljen e fushatës të 2009. Kryetari në atë kohë vazhdonte turin dhe ne na u dha detyra të qëndronim në Bulevard dhe kërkuam ndihmën e Fatmirit pasi policia nuk na lejonte të vendosnim foninë në të gjithë bulevardin. Ne e ngritëm edhe skenën siç ngritëm edhe qytetin që i tregoi të gjithëve se çfarë force ishte PS-ja. Kujtoj që unë kam qarë kur Fatmiri mbajti fjalën pas mitingut për të thënë që 200 anëtarë të PS dhe deputetët e mbështetjes kishin vendosur të nisnin grevën e urisë, por kam qarë edhe kur kemi dalë nga greva e urisë pas vizitës së Edi Ramës në Bruksel. Kam qarë shumë në historinë time politike në PS”, tha Balluku.