Kryeministri Edi Rama ka vazhduar me takimet e tij elektorale në Cërrik nga ku tha se synon një mandat të tretë të socialistëve.
Sipas Ramës, asnjë shqiptar nuk duhet të humbasë jetën për shkak të zgjedhjeve, pasi duhet të fitojmë luftën me armikun e padukshëm.
“E kemi të pamundur të harrojmë që shëndeti është mbi të gjitha dhe e kemi të pamundur të ndajmë luftën e përditshme, përnatshme dhe qëllimi ndaj kësaj lufte është kryesore, prandaj i shohim me frikë, keqardhje ato grumbullime të çartura me flamur, e dy gishta, gjoja spontane se kemi parë se çfarë ka ndodhur në vende fqinje, numrat janë rritur, largqoftë viktima. Nuk duam që asnjë shqiptar të humbasë jetën për shkak të zgjedhjeve, ne duam të fitojmë luftën me armikun e padukshëm, është një luftë që Shqipëria po i rikthen buzëqeshjen mijëra gjyshërve, po i heq ankthin e tmerrshëm dhe prej ku ne do dalim të fituar më të fortë dhe më shpejt se shumë të tjerë. Sigurisht që do flasim për ç’ka kemi bërë dhe ç’duam të bëjmë, por sado të numërojmë gjërat që duam të bëjmë, në themelin e kësaj zgjedhje ka një pyetje shumë të qartë, do vazhdojmë të ngjitemi drejt asaj maje ku duam të çojmë Shqipërinë apo do ndalemi dhe të kthehemi pas.”
Rama shtoi se opozita kur ka pushtetin është gati edhe ta djegë vendin për pushtetin tyre, ashtu sikurse nuk lënë fjalë pa thënë kur flasin për të huaj.
Kreu i qeverisë u shpreh se është kryeministri i vetëm që ka shëtit kaq shumë Shqipërinë, e i përgjigjet të gjithë atyre që kanë halle e probleme.
“Ato kur nuk kanë pushtetin nuk lënë gjë pa i bërë Shqipërisë, janë gati edhe ta djegin për pushtetin tyre, ashtu si kurse nuk lënë fjalë pa thënë kur flasin për të huaj, ne nuk duam Shqipërinë për pushtetin, por që pushteti të jetë për të rinjtë. Kur mbarojnë zgjedhjet nuk i kthej kurrizin njerëzve, por e them me krenari që kam shëtitur Shqipërinë më shumë se të gjithë kryeministrat së bashku që kur u krijua shteti shqiptar, ne duam që çdo telefon të funksionojë që ne shteti t’ua zgjidhim hallin, jo që t’ju marrim në telefon me kë je, për kë do votosh.”





