Një person i dytë është arrestuar për grabitjen dhe vrasjen e ish-bankierit Giovanni Caramuscio. Mediat në Itali bëjnë me dije se në pranga ka rënë Andrea Capone, 28 vjeç nga Tricase.
Ai akuzohet si bashkëpunëtor i 31-vjeçarit shqiptar Paulin Mecaj, i cili është arrestuar dy ditë më parë për vrasjen e bankierit.
I riu bashkë me Paulin Macaj kanë ekzekutuar ish-bankierin në sy të gruas së tij teksa ky i fundit po tërhiqte para nga një bankomat.
Capone u identifikua nga xhupi i errët me mëngë të gjata të cilin natën e vrasjes e hodhi në një pus dhe u gjet më pas nga forcat zjarrfikëse. Xhup, të cilin ai e kishte veshur në disa raste të tjera, madje kishte shpërndarë edhe foto në rrjetet sociale.
Ndërkohë autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.





