Projekti i kryeministrit Rama për shndërrimin e portit të Durrësit dhe zonës përreth në marinë konsiderohet nga kandidati demokrat Igli Cara si vjedhja e shekullit.

“Rama prish portin aktual dhe i fal tokën me vlerë 2 miliardë euro një ndërtuesi privat, ndërsa merr edhe 500 milionë euro nga taksat tona për ndërtimin e portit të ri. Kjo është vjedhja e shekullit,” – deklaron kandidati i Partisë Demokratike në Durrës.

“Askush para tij nuk ka guxuar të bëjë një gjë të tillë. Rama e bën dhe madje e bën edhe me vendim të Kuvendit,” – shton Cara.

Për këtë arsye, ai vë në dukje se zgjedhjet e 25 prillit përbëjnë “mundësinë për t’u ndarë një herë e mirë nga ky regjim grabitës dhe i korruptuar.”

“Porti i Durrësit është pasuri kombëtare, është pasuri e përbashkët e jona, dhe nuk mund të falet sikur të ishte asgjë, nuk mund të falen 100 hektarë tokë sikur të ishin asgjë, – nënvizon Cara. – Më 25 prill duhet t’i themi jo kësaj babëzie të paparë.”

“Janë 100 hektarë tokë që, sipas vlerës së tregut, kushtojnë 2 miliardë euro dhe Rama i fal pa asnjë përfitim për vendin, i fal sikur t’i kishte të tijat. Rama i fal tokën publike një privati që do të ndërtojë diçka, tek e cila ne nuk do të kemi asnjë të drejtë. Madje, këtë aktivitet privat e përjashton edhe nga taksat, – bën të ditur kandidati demokrat. – Kjo është tamam vjedhja e shekullit. Ai vjedh tokën me vlerë 2 miliardë euro, na vjedh 500 milionë euro të tjera nga taksat tona për ndërtimin e portit të ri dhe na vjedh edhe nga përjashtimi prej taksave që i bën privatit.”

“Porti i Durrësit është port me rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike për Durrësin dhe për gjithë vendin, – ka thënë kandidati demokrat Igli Cara gjatë takimeve të ndrzshme që ai ka pasur me qytetarët. – Madje, rëndësia ekonomike dhe ndikimi i portit të Durrësit shkon edhe më tej, pasi gjithnjë e tepër ai tani përdoret edhe nga vendet e rajonit, si: Kosova, Maqedonia e Veriut, etj.”

“Është e papranueshme që porti i Durrësit të fshihet nga faqja e dheut sa hap e mbyll sytë, vetëm sepse kështu dashka Rama dhe interesat e tij. Një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa një studim dhe vlerësim të hollësishëm paraprak, nuk mund të bëhet pa marrë në konsideratë të gjitha prirjet zhvillimore të Durrësit, vendit dhe rajonit, – ka shtuar Cara. – Shndërrimi i portit të Durrësit nga port tregtar në marinë tjetërson rrënjësisht gjithë prirjen zhvilluese të qytetit, zhvlerëson gjithë investimet e bëra deri tani nga entet private dhe publike.”

Për të gjitha arsyet e mësipërme, por edhe për të mbrojtur vlerat e historisë së qytetit, pasi porti ka qenë në atë vend prej mijëra vjetësh, kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit thekson se “vota më 25 prill është jetike për të ardhmen e vendit.”

“Më 25 prill, qytetarët e Durrësit patjetër që do të ndahen nga kjo e keqe, nga ky kryeministër dhe kjo qeveri që vetëm të vjedhë di,” – ka deklaruar Cara.