Intervistoi Mila Ballhysa

Kreu i njësisë administrative nr.5, Erjon Meka është angazhuar në garën elektorale, duke u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun Durrës.

Funksionari shtetëror ka administruar vitet e fundit një nga zonat e Durrësit të goditura më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, siç janë lagjet nr.13,14 dhe 17, e ku dëmet janë ende të pranishme, megjithëse procesi i rindërtimit po ecën përpara.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Meka rrëfen për kujtimet e atyre ditëve të vështira të pastërmetit, pse zgjodhi të përfshihej në garën për deputet në Kuvendin e ardhshëm apo arsyet që e shtynë rreth 20 vite më parë të kthehej në Shqipëri, ndërsa jetonte e punonte prej disa vitesh në vendin fqinjë, Itali.

Ekonomisti Meka, pas një eksperience të gjatë në sektorin privat, do të emërohej në vitin 2018 kryetar i njësisë administrative nr.3 dhe më pas në janar 2019 kryetar i njësisë administrative nr.5. Nga orët tragjike që pasuan lëkundjen e frikshme sizmike, Meka kujton momentet e ankthit të kaluara pranë hotel “Tropikal”, i cili u shemb duke u marrë jetën dy vëllezërve kosovarë Shemsedin e Isa Abazi.

“Kemi qëndruar mbi 26 orë me shpresën se do të arrinim t’i nxirrnim gjallë nga rrënojat. Për fatin e keq, ata nuk ia dolën. Kjo ngjarje tragjike do të më ngelë në mendje gjithë jetën”,- thotë Meka.

Duke u ndalur tek procesi i rindërtimit, pasi rendit grantet e shpërndara dhe riparimet e objekteve DS1-DS3, Meka shprehet se me ritme të shpejta po ecën edhe ndërtimi i shtëpive individuale.

“Një pjesë e madhe e tyre janë thuajse në përfundim dhe qytetarët do të futen së shpejti në banesa”,- thotë ai.

Njëherazi, kandidati për deputet, që ka nën administrim lagjen nr.13, deklaron se me një vëmendje të shtuar të autoriteteve po trajtohet zona e plazhit, për shkak të sezonit turistik që po afron. Meka është besimplotë se vaksinimi masiv i popullsisë do të garantojë një sezon të suksesshëm.

Anëtar i PS-së që nga viti 2002, ai thotë se propozimi për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës i erdhi nga PS. Pas një hezitimi momental, Meka shprehet se u bind se duhej të ishte pjesë e ekipit fitues të partisë që kërkon mandatin e tretë qeverisës, me qëllim përfundimin e procesit të rindërtimit dhe zhvillimin e qytetit bregdetar.

Ndërkohë, nëse do të zgjidhet deputet në parlamentin e ardhshëm. Meka premton se do të jetë gjithnjë pranë shqetësime të banorëve të Durrësit dhe zëri i tyre në legjislativin shqiptar.