Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun Durrës, Edi Paloka ka zhvilluar takimin elekotral të radhës me banorët e Sektor Rinias ku pati mundësinë të komunikojë me qytetarët për problematikat e infrastrukturës së zonës.

“Unë zgjodha që të kem këtë zonë në përgjegjësinë time për këto zgjedhje dhe sigurisht për këto 4 vite që vijnë. Në 8 vite më mirë se ju nuk e din askush se çfarë ka bërë kjo qeveri. Tani po arnojnë rrugën dhe me një eskavator të vogël po pickojnë kanalin për të gënjyer njerëzit. Ajo rrugë në 8 vite do ishte bërë shumë herë, por tani duan t’u hedhin hi syve njerëzve.”

Paloka gjithashtu prezantoi disa pika të planit të qeverisë, ndërsa programin e palës kundërshtare e cilësoi si një tullumbac që lëshohet gjatë zgjedhjeve, një program pa fantazi ku premtohen vetëm aeroporte.

“Ne kemi një program jo si ai i Ramës, që lëshon disa tullumbaca. Në vend të na i zgjidhin problemet, ata bëhen vetë problemi. Janë me qindra dhe mijëra socialistë që kërkojnë largimin e tij një orë e më parë. Dhe ata kalojnë në të njëjtën rrugë si ju.”