Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Durrës, Lefter Koka ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar’ në ‘News 24”.
I pyetur për rikthimin në Partinë Socialiste, Koka theksoi se sa më shumë kohë që kalon, aq më tepër mendon se ka bërë zgjedhjen e duhur.
“Ka vite që kam marrë këtë vendim. Sa më shumë kohët kalojnë, aq më shumë them se kam bërë zgjidhjen e duhur. Kam kërkuar që të kem bashkëpunim me strukturat e partisë kua aderoj, aktualisht po punojmë në PS. Kjo fushatë është e ndryshme, për shkak të pandemisë, por komunikimi është i drejtpërdrejtë dhe më efikas, për rrjedhojë”, tha Koka, ndërsa nënvizoi se gjithmonë në karrierën e tij politike, ka menduar për familjet durrsake, për rritjen e mirëqenies së tyre.
“Gjithmonë kam menduar për familjet durrsake. Qytetarët e Durrësit nuk do kthehen mbrapa, por do bëjnë këtë qeveri, që të ecë akoma më shpejt. Mendoj se qytetarët durrsakë dhe shqiptarë janë njerëzit që kërkojnë më pak nga politikanët. Bashkia Durrës dhe qeveria qendrore kanë bërë punë të shkëlqyer për tërmetin. Është bërë punë intensive. Puna e qeverisë shqiptare tashmë ka tetë vjet. Shqipëria e para tetë viteve ishte ajo që dimë, spitalet dikur ishin në kushte të mjerueshme. sot shëndetësia përballoi pandeminë. Kjo vlen që të përshëndetet. Qeveria shqiptare synon që të zbusë polarizimin ekonomik. Për rastin e Durrësit, do ta quaja nga më fatlumët. Në Durrës nis ndërtimi i një porti më të madh në Mesdhe. Do të jetë i frekuentuar nga shumë turistë.”