Kandidati për deputet, Lefter Koka, gjatë një bashkëbisedimi me strukturat e PS, ku ato rinore janë shkrirë me të rriturit, ka theksuar se synimi është fitorja dhe do të punohet vetëm për këtë qëllim.
“Rinia është promotori ynë dhe energji që ne nuk e gjejmë në asnjë prej strukturave të tjera. Jeni motivim, jeni energji, që përcillni shpresën e së ardhmes më të mirë. Tani është momenti që të shkojmë të sigurtë drejt fitores duke u shkrirë me strukturat e tjera, për konsolidimin e gjithë ekipit të majtë.”
Më tej, Koka është ndalur te dy momentet e vështira që vendi ynë vijon të përjetojë pasojat duke pohuar se:
“Jetojmë në kohë krize. Në fillim tërmeti, pastaj pandemia dhe tani vaksinat. Jemi në një garë kundër kohës për të mundur virusin, për të vaksinuar qytetarët, për të parandaluar variantet e reja, për të rihapur ekonominë dhe për të shpëtuar sezonin tonë veror. Duhet të vijojmë me vaksinimin masiv për të shpëtuar sezonin turistik të këtij viti. Shpëtimi i sezonit do të sillte të ardhura të domosdoshme për ekonominë tonë dhe do të ishte fillimi i rikthimit në normalitetin e humbur. Kjo do të bëjë që masat të relaksohen ndjeshëm dhe që vendi ynë të presë turistë të huaj pa frikë. Deri në pranverën e vitit të ardhshëm, çdo qytetar shqiptar mbi 18 vjeç do të jetë plotësisht i vaksinuar. Shkollat dhe sipërmarrjet tona do të rimëkëmben, investimet e huaja gjithashtu, ndërsa sezoni turistik 2022 do të jetë më i miri në historinë e vendit tonë. Shumë shpejt, Shqipëria do të arrijë objektivin e 10 milionë turistëve të huaj dhe 3 miliardë eurove të ardhura në vit (nga 7 milionë turistë dhe 2 mld euro në 2019), duke u shndërruar në një destinacion kyç që do të rivalizojë Kroacinë dhe Greqinë në Mesdhe”.
Deputeti Koka është ndalur dhe te plani i punës që qeveria socialiste ka për mandatin e ardhshëm:
“Duhet të jemi të bindur se në proces rindërtimi janë plot 5 mijë banesa individuale, 12 mijë apartamente dhe 28 kantierë të rinj të infrastrukturës publike do të përfundojnë brenda pranverës së 2022-it. Rritja e pagave +40% për bluzat e bardha e mësuesit dhe +30% për administratën publike është po ashtu synim i qeverisjes sonë në mandatin e tretë. Dyfishojmë bonusin e fundvitit për pensionistët brenda vitit 2025. Aplikojmë Programe Kombëtare për Inovacionin dhe për Artet & Zejet për fëmijët 12-18 vjeç. Hapim Universitete të huaja Publike në Shqipëri. Kriminaliteti bie përfundimisht nën mesataren e BE-së, si dhe do vendosim në funksion të plotë Drejtësinë e Re.”.