Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka zbardhur vendimin e marrë gjatë orëve të vona në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile.

Në një intervistë për emisionin “7 pa 5”, Peleshi deklaroi për herë të parë se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është autorizuar për të bërë zëvendësimin e kontrollorëve.

“Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës. Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti, ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim.” tha Peleshi.