Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar takime me fermerët e Cërrikut, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Basha e quajti Ramën frikacak, që ka frikë të përballet në debat, pasi sipas kreut të opozitës nuk ka mbajtur asnjë premtim që kishte dhënë.
“Më 25 prill, gjithçka ka të bëjë me familjet tuaja. Rama nuk vjen në debat se është frikacak. Nuk ka si të përballet, sepse ka dështuar. Unë kam dalë para shqiptarëve me program, ai del nëpër Shqipëri dhe vetëm shan opozitën. Ka tetë vjet që nuk ka bërë asgjë nga premtimet që dha. Ndryshimi sot është kryefjalë e shqiptarëve. Zotimi përfundimtar është ky: Nëse zotimet e programit të PD nuk mbahen për mandatin e parë, nuk kërkoj mandat të dytë. Për çdo euro që do vendos qeveria e Shqipërisë, do vijë edhe një euro nga BE. Unë kam punuar me institucionet e BE-së, kam punuar të hequr vizat për shqiptarët, që nuk e mendonim në atë kohë. Shqiptarët kërkojnë qeveri të besueshme. Po thonë mezi po presim 25 prillin dhe po vjen kjo datë. Në zgjedhje, votoni PD-në.”





