Ndryshe nga 4 vite më parë, kur PD e sapo dalë nga çadra u përfshi në fushatë zgjedhore dhe humbi thellë në pjesën dërmuese të qarqeve, në këto zgjedhje duket se “detyrat e shtëpisë” po i bën më mirë.
Për hir të së vërtetës, fushatën e nisi shumë më vonë sesa PS, kjo edhe për shkak të vonesave në përcaktimin e drejtuesve politikë në qarqe dhe përcaktimin e emrave të kandidatëve për deputetë, por nga ana e sigurisë po tenton të parandalojë të gjitha fenomenet parazgjedhore, që mund të ndikojnë në deformimin e rezultatit.
Kjo e hënë nisi në selinë e PD-së me një mbledhje të kryesuar nga drejtuesi politik Edi Paloka, ku prezent ishin krerët e degëve të Durrësit dhe Shijakut, zyrtarët e lartë të degëve lokale, por ajo që binte më shumë në sy ishte prania e ish-drejtuesve të lartë të policisë gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD-së si Agron Kuliçaj, Aleks Hajdari etj.
Në intervistat e tyre për “DurrësLajm”, dy kandidatët për deputetë Oerd Bylykbashi dhe Ferdinand Xhaferaj folën për masa shtesë, një Task-Forcë, përfshirjen e teknologjisë për të mbrojtur rezultatin nga manipulimet e ndryshme apo shit-blerja e votës. Prej disa kohësh, pranë PD-së ka nisur të funksionojë Departamenti i Sigurisë, i cili ka detyrë kryesore hartimin e strategjisë për të koordinuar punën e të gjitha strukturave, militantëve, por edhe qytetarëve mbështetës të së djathtës me qëllim mbledhjen e të gjithë informacionit të nevojshëm për tentativa të kundërshtarëve politikë në manipulimin e rezultatit.
Nga ana tjetër, ajo që i mëshon fort opozita në këto zgjedhje është dalja masive e elektoratit në votime. Por sipas demokratëve, ndryshe nga strategjia e kundërshtarëve në zgjedhjet e kaluara kur flitej për pagesa në lekë apo euro për të votuar të majtën, këtë herë duket se tentativa do të përqendrohet në pagesat e konsiderueshme për t’u marrë votuesve kartat e identitetit, me qëllim mosmarrjen pjesë në zgjedhje.
E pikërisht, për të parandaluar këtë fenomen, që mund të rezultonte fatal për rezultatin pozitiv që opozita synon më 25 prill, PD po mbështetet edhe në metodat organizative të ish-drejtuesve të lartë të policisë, që njohin mirë specifikat e secilës zonë të qarkut, elementët problematikë, lidhjet e grupimeve të caktuara me politikën etj.
Këto 3 javë të fundit para 25 prillit do të jenë deçizive për PD për të mobilizuar të vetët të dalin masivisht në votime dhe nga ana tjetër për të bindur elektoratin gri që të mos qëndrojë indiferent ditën e votimit.
Fakti që tre bashkitë e qarkut Durrës janë në toplistën e zonave me risk elektoral dhe hija e rëndë që dosja 339 la mbi zgjedhjet e vitit 2017, i kanë bërë demokratët të përgjegjshëm se gabimet apo mosorganizimi nuk tolerohen më.
Në këtë “betejë” për ndryshim të qeverisjes së vendit, ata duket se kanë kuptuar se duhet të ndryshojnë edhe qasjen e tyre ndaj zgjedhjeve, në të kundërt 4 vite të tjera në opozitë do të ishin fatale për ta.
M.B.





