Mandati i tretë qeverisës do të ketë fokus të veçantë mbi rimëkëmbjen ekonomike, veçanërisht në Durrës. Për këtë prioritet është angazhuar  kandidati për deputet i PS në këtë qark, Lefter Koka.

Koka tha gjatë takimit me tregtarë të tregut indusitrial në Durrës se nëpërmjet një plani konkret veprimi, qeveria do të mundësojë rritjen e pagës minimale, taksim të ndershëm progresiv, si dhe zero taksa për biznesin e vogël.

“Shqipëria e ardhmja jonë, nuk është një sllogan elektoral, po një aspiratë kombëtare që do të motivojë qeverisjen dhe vendimmarrjet tona të kësaj dekade. Shumë janë bërë. Mbi 100 mijë biznese të vogla ku janë të punësuar mbi 150 mijë shqiptarë sot paguajnë zero taksë. 97% e qytetarëve që paguhen me rrogë fitojnë më shumë se më parë falë taksës progresive. Vetëm 3% e më të pasurve paguajnë më shumë. Por, shumë më tepër mund të bëhet.”, ka pohuar Koka gjatë këtij bashkëbisedimi.

Ndërsa ka dëgjuar shqetësimet e tregtarëve Koka tha se: “Impakti i pandemisë ka qenë i madh për shumë subjekte prandaj qeveria e ardhshme socialiste do të bëjë të mundur që nga  janari 2022, kufiri i pagës së patatueshme rritet nga 30 mijë në 40 mijë lekë. Aktualisht, 42% e qytetarëve të punësuar nuk paguajnë taksa, por me rritjen e fashës ky numër shkon në 63%.  Tatimi fitimi zero dhe zero TVSH për biznesin e vogël nuk është një premtim elektoral. Ky është një lehtësim që bëhet deri në vitin 2029.”