Intervistoi Mila Ballhysa

Përfshirja e emrit të Alban Xhelilit në listën e kandidatëve për deputetë të PS në qarkun Durrës surprizoi shumëkënd. Jo sepse nuk njihej, pasi në rrethet e sipërmarrësve apo kontabilistëve thuajse të gjithë kanë dëgjuar për të apo e kanë njohur nga afër, por sepse emri i tij nuk ishte lakuar mes atyre që konsideroheshin si kandidatë potencialë për të qenë pjesë e listës për zgjedhjet e 25 prillit.

Zgjedhjet e këtij viti janë hera e tij e parë që përfshihet drejtpërdrejt në fushatë, në kontakte të përditshme me njerëzit, në takime me grupe të interesit dhe biznese. Me formimin e tij në financë dhe kontabilitet dhe një eksperiencë profesionale rreth 25-vjeçare në këtë fushë, Xhelili ka qenë gjithnjë në kontakt të ngushtë me sipërmarrësit dhe biznesmenët, por në këtë eksperiencë të re, ai synon që të jetë në parlamentin e ardhshëm një zë më shumë për të dhënë kontributin e tij në implementimin e reformave fiskale, hartimin e buxheteve apo reformave ekonomike për thithjen e investimeve të huaja.

Por si u përfshi Xhelili në politikë?

Në një intervistë për “DurrësLajm”, ai rrëfen se propozimi për t’u përfshirë në listat e kandidatëve për deputet i erdhi nga kryeministri dhe Partia Socialiste Durrës, që e ka mbështetur kandidaturën e tij.

“Propozimi më erdhi si rezultat i një sërë diskutimesh dhe kontributesh që unë kam dhënë në takime të ndryshme, ku me sa duket është vënë re pjesa e aktivizimit tim. Tani po e vë re që kam pasur një përkrahje shumë të madhe dhe nëse në fillim kisha dyshimet e mia për pranimin e kandidaturës, tani e kam hequr çdo lloj dyshimi dhe ndihem pa diskutim shumë i vlerësuar”,- thotë kandidati Xhelili.

Ai pranon se viti 2020 dhe këta muaj të parë të 2021-it kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten të vështirë për biznesin, për shkak të situatës pandemike në Shqipëri dhe të gjithë botën, por vaksinimi masiv që ka nisur në vend pritet të shoqërohet me një rënie drastike të rasteve të reja me Covid-19 dhe për rrjedhojë, një frymëmarrje më shumë për biznesin.

Ndërsa shpesh dëgjohet shprehja “Vende pune ka, por mungojnë specialistët”, në 4-vjeçarin e 3-të të qeverisë Rama një rëndësi primare do të marrë kualifikimi i specialistëve. Kontabilisti Xhelili thotë se pasi për 4 vite me radhë iu kushtua një rëndësi e veçantë formimit profesional të punonjësve të rinj, në 4 vitet e ardhshme fokusi i qeverisë do të jetë ngritja profesionale e punonjësve shqiptarë.

“Formimi profesional i specialistëve të kualifikuar do t’i japë biznesit një hov të ri dhe një standartizim të produkteve për t’u bërë të krahasueshëm me nivelin e rajonit dhe më gjerë”,– thotë kandidati Xhelili.

Një ditë më parë, kryebashkiakja Emiriana Sako, ndërsa inspektonte vijën bregdetare në Shkëmbin e Kavajës, tha se po punohet për ta bërë gati qytetin për sezonin veror, që po troket. Deri më tani, sektori i turizmit ka zero prenotime për shkak të pandemisë, por kandidati Xhelili parashikon një sezon të mirë dhe me shumë pushues.

Sipas tij, vaksinimi i stafeve të bizneseve turistike, heqja e kufizimeve, kufijtë e hapur etj, do të shoqërohen me fluks turistësh nga vendet fqinje, por edhe më gjerë.

“Siç edhe kryeministri e ka premtuar dhe e ka thënë, ne do të kemi të bëjmë me një sezon ndryshe nga të gjithë vendet e rajonit, pasi Shqipëria do të jetë e hapur plotësisht. Hoteleria, baret, restorantet do të jenë të hapur 24 orë në 24, në mënyrë që Durrësi dhe i gjithë vendi të jenë sa më atraktivë për turistët e huaj”,– thotë kandidati Xhelili.

I pyetur nga “DurrësLajm” për projektin e portit të ri turistik, kandidati nr.2 i listës së qarkut Durrës shprehet besimplotë se implementimi i investimit 2 miliardë euro do të ketë impakt direkt në buxhetin e bashkisë, bizneseve dhe familjeve durrsake.

“Ky investim i këtij niveli do të sjellë të ardhura shumë më të larta për pushtetin vendor, që përkthehen në investime të ardhshme në qytet. Në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte, të gjithë ne do të jemi përfitues të këtij investimi”,- përfundon Xhelili.