Intervistoi Mila Ballhysa
Në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun Durrës është përfshirë edhe pedagogia Blerina Reçi Xhakolli. Për herë të parë, ajo është e përfshirë drejtpërdrejt në fushatë, por prej vitesh kontribuon pranë degës lokale të PD-së duke drejtuar prej së paku dy vitesh departamentin e arsimit.
Nga ana tjetër, Prof. Asoc. Dr. Reçi drejton departamentin e Psikologjisë në Fakultetin e Edukimit, në UAMD prej 5 vitesh.
Me një kontribut për t’u vlerësuar në fushën akademike dhe Shoqërinë Civile, kandidatja Reçi kërkon, që me thjeshtësinë dhe natyralitetin që e karakterizon, të përçojë tek çdokush që takon në këto ditë të ngarkuara elektorale besimin se programi i Partisë Demokratike është alternativa e duhur dhe se të gjithë duhet të votojnë ndryshimin më 25 prill.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, Reçi nënvizon se programi i Partisë Demokratike për arsimin, i jep zgjidhje afatshkurtër disa prej problemeve të konstatuara sidomos vitet e fundit, kur nisi aplikimi i ligjit për “Arsimin e lartë”.
“Programi i Partisë Demokratike e trajton arsimin si një e mirë publike, në funksion të individit dhe shoqërisë duke rishikuar dhe duke rikonceptuar ligjin e “Arsimit të lartë”, duke garantuar lirinë akademike, autonominë e universiteteve, duke rritur pagat e mësuesve dhe pedagogëve, duke lidhur praktikat e paguara për një vit rresht për studentët ekselentë, bursat për studentët që vijnë nga familje të varfëra ose zerimi i tarifave në sistemin Bachelor dhe Master, për studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 64 mijë lekë në muaj.” – thotë kandidatja Reçi.
Në shumicën e kohës e buzëqeshur, kandidatja Reçi duket se e ka gjetur “ilaçin” për t’i bërë për vete votuesit. “Të qënit vetvetja” është motoja që e ka shoqëruar atë në çdo hap të rëndësishëm që ka hedhur në jetë dhe të njëjtin parim po ndjek edhe në këtë fushatë të parë të saj në terren.
“Jam e nderuar sikur bashkëbiseduesit e mi, me të cilët takohem në mbledhjet tona elektorale, të identifikojnë tek unë vajzën e qytetit, kushërirën apo komshien. Kjo është gjëja më sublime që ka përfaqësimi”, – thotë Reçi.
Blerina ka pasur në gjithë këto muaj, që nga koha kur emri i saj u propozua nga strukturat e PD-së, mbështetjen e pakursyer të familjes. Bashkëshorti dhe dy vajzat e saj studente kanë qenë përherë në krah të saj në këtë rrugëtim politik.
Kur e pyet nëse beson tek rotacioni politik, Blerina përgjigjet prerë: “Unë besoj tek ndryshimi. Nuk është më rotacion, është domosdoshmëri ky ndryshim”.
Me energjinë pozitive që e karakterizon, zërin e butë që duket se nuk e njeh tonalitetin e lartë dhe të ashpër të politikës shqiptare, kandidatja Blerina Reçi po dëshmon në këtë fushatë disa nga karakteristikat më të mira të qytetarisë durrsake.
“Lufta” e saj dhe e kandidatëve të tjerë të PD-së në qarkun Durrës dhe jo vetëm është për një të ardhme të të rinjve në vendin e tyre, në Shqipëri. Duke qenë një ndër qindra mijëra shqiptarë që në vitet e para të tranzicionit shqiptar emigroi jashtë vendit, por më pas u kthye në vendlindje dhe vazhdon të japë kontributin e saj këtu, Blerina ngre për herë të parë tonin e saj dhe deklaron e vendosur: “Nuk mundemi ne, pas 30 viteve, t’i urojmë fëmijëve tanë ikjen nga ky vend. Prandaj duhet ndryshimi, për një të ardhme ndryshe për fëmijët tanë!”





