Gazetari durrsak, Gjergj Thanasi është përfshirë në këto zgjedhje në garën elektorale. Ky nuk është angazhimi i parë politik i tij, por këtë herë prezantohet si kandidat i koalicionit ABEOK në qarkun e Durrësit.

Në prezantimin e tij para kolegëve gazetarë, Thanasi ironizoi me premtimet e bëra nga kryeministri Rama në fushatë kur deklaroi se mund të thoshte gënjeshtra më të mëdha sesa lideri i socialistëve. 

“Meqë Rama premton çdo dy qytete premton nga një aeroport për Shqipërinë, unë do ta kaloj për rrena. Unë premtoj në Durrës tre pista skish në Currila me borë artificiale. A e ka Dubai, a e ka Abu Dhabi, ça ka Durrësi më pak.”

Për zonën e tij elektorale, Manzën, kandidati Gjergj Thanasi premton se nëse zgjidhet deputet do ta ngrejë zërin në parlamentin e ardhshëm për largimin e plehrave dhe depozitimin e tyre në një tjetër vend. 

“Angazhohem që në parlament të bëj maksimumin që Manza të pastrohet nga plehrat. Popullit të Manzës i them të votojë numrin 5. Unë e mbaj fjalën gjithnjë kur e jap.”

Gjatë konferencës për shtyp, Gjergj Thanasi vuri theksin në disa nga shqetësimet e banorëve të lagjeve të ndryshme të Durrësit, të dëmtuar nga tërmeti.

Mos marrja e grantit të rindërtimit nga rreth 2700 qytetarë që aplikuan në dhjetor 2020, tentativat e dyshimta për prishje të disa pallateve dhe shkollave në Durrës që Instituti i Ndërtimit i ka klasifikuar me dëme DS5 ishin disa nga çështjet kryesore që kandidati Thanasi përmendi gjatë fjalës së tij. 

Kush është Gjergj Thanasi

Shumëkush nga qyetarët e Durrësit e kujton fushatën e tij elektorale në vitin 2003 në zgjedhjet lokale, kur kandidoi për kryetar bashkie në logon e Partisë së Legalitetit. I veshur me kostum dhe mbi një qerre, Thanasi lëvizte rrugëve të Durrësit duke tërhequr jo pak vëmendjen me gjetjen e tij.

Gjergj Thanasi ka lindur në Durrës më 23 prill 1966.

Shkolla e mesme “Asim Vokshi” Tiranë mbaruar në vitin 1984.

Studimet e larta pranë Fakultetit Histori-Filologji, Tiranë mbaruar në vitin 1988. 

Në vitin 1989 punon si radio operator në radiostacionin bregdetar Durrës.

Në vitet 1989-1990 punon pranë doganës Durrës.

Në vitet 1990-1991 burg në Durrës dhe Spaç për pjesëmarrje dhe udhëheqje të demostratës antikomuniste të 14 dhjetorit 1990.

Në vitet 1991-1997 doganier në Durrës.

Në vitet 1997 -janar 1998 doganier në Kapshticë.

Në vitet 1998-2007 aktivitet privatnë Durrës.

Në vitet 2007-2021 gazetar për media shqiptare dhe media të huaja.

Në vitet 2007-2020 lektor në UAMD.