Të dhëna të detajuara mbi emigracionin në vendet e Ballkanit Perëndimor të analizuara nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës tregojnë se fenomeni në Shqipëri është i përhapur tek të rinjtë dhe të arsimuarit.
Sipas grafikut, në të cilin emigracioni është analizuar në dy periudha 2012-2014 dhe 2015-2019 rezulton se gjatë katër viteve të fundit fenomeni është përkeqësuar sidomos në grup moshat 20-24 vjeç.
Sipas të dhënave që i referohen emigracionit neto (një nga matjet) gjatë periudhës 2015-2019 ishin larguar nga vendi rreth 18 mijë të rinj në këtë grup-moshë, nga pak se 10 mijë në periudhën e 2012-2014.
Ekspertët e Vjenës vënë re se, në Shqipëri emigrimi i të arsimuarve është në nivele shumë më të larta se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të tilla si Serbia, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova.
Ikja e trurit është veçanërisht e fortë tek të rinjtë, sidomos në grupet 15-19 dhe 20-24 vjeç. Por emigrimi i forcës së aftë të punës në Shqipëri është e lartë edhe në grup-moshat 25-29 dhe 30-34 vjeç.
Studimi vëren se nga një grup prej 105 mijë emigrantësh që ikën nga Shqipërinë gjatë periudhës 2012-2019, kanë qenë të arsimuar 40,700 persona ose 40 për qind e totalit të emigrantëve.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përjetuan emigrim neto gjatë periudhës dekadës së fundit, por me ndryshime të rëndësishme midis vendeve për nga madhësia dhe modeli i moshës.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, ka migrim neto midis grupeve më të reja dhe kthim ndër grupet e vjetra. Në Malin e Zi, modelet e migrimit neto janë specifike për periudhën dhe priren të kthehen mbrapsht me shpejt.
Në Serbi, të gjitha grupet e popullsisë përjetojnë emigrim neto, përveç personat në të 30-tat e tyre. Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera ka emigrim neto midis të gjitha grupeve, por veçanërisht midis grupeve më të reja.
Në përgjithësi, emigracioni neto i vlerësuar në rajon ndodh kryesisht midis atyre me arsim të ulët dhe të mesëm, me përjashtim të Shqipërisë dhe Serbisë, ku emigrojnë të arsimuarit.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, emigracioni neto është më i theksuar midis personave me arsim të mesëm, të ndjekur nga të arsimuarit e ulët, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë emigrimi neto është kryesisht në personat me arsim të ulët dhe atyre me mesëm. /Monitor