Lajmi për ndarjen nga jeta të deputetit të Partisë Socialite, Bashkim Fino ka prekur politikën dhe opinionin publik në vend.
Për ikjen e parakoshme të ish-kryeministrit të Shqipërisë për shkak të Covid-19 kanë qenë të shumta reagimet nga kolegët tij.
Ish-Presidenti Bujar Nishani: “Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve të ish Kryeministrit Bashkim Fino! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar. Pusho në paqe tashmë, Bashkim!”
Jurgis Çyrbja: “Bashkimi ynë i mirë që gjithmonë bëje fuqinë dhe diferencën..! Sot nuk humbi vetëm familja të birin, babain dhe bashkëshortin, as familja socialiste një prej figurave më të rëndësishme, por sot, politika shqiptare humbi një prej shembujve më të mirë që elita politike shqiptare ka prodhuar në këto 30 vitet e fundit! Të qoftë dheu i lehtë, mik i shtrenjtë!”
Ogerta Manastirliu: “E trishtuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut, Bashkim Fino. Do të më mungojnë bisedat gjatë pushimeve në seancat e Kuvendit, ku nuk i kursente asnjëherë këshillat e mençura. Krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit. U prehsh në paqe, mik.”
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi: “Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvëndësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit. Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!”
Taulant Balla: “Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne. Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë.”
Olta Xhaçka: “Ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm. I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im! Mungesa jote është e pazëvendësueshme.”
Kryebashkiaku Erion Veliaj: “Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij! Prehu në paqe mik i dashur.”
Presidenti Ilir Meta: “Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona.”
Damian Gjiknuri: “Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme! Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar”
Mimi Kodheli: “Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira.”
Lefter Koka: “Sot humbëm Bashkimin. Do të të kujtojmë përherë si njeriun vital, të përkushtuar dhe të dashur, si profesionistin dhe djalin e mençur. Ngushëshime familjes dhe miqve për këtë humbje të madhe. Të qoftë dheu i lehtë miku im. Do na mungosh”
Namik Dokle: “MOS, BASHKIM, MOS, Ç’NA BËRE KESHTU?! Te telefonova, nuk u pergjigje…te dergova mesazh, nuk u pergjigje…dhe shpirti im (mallkuar qofte!) e parandjeu gjëmën! Kurre nuk kishte ndodhur ashtu…Kisha tre dite qe me mendje flisja me ty, me ty, miku im i mire, miku im i perjetshem, mik i paharruar. E kujt i duhen tash keto fjale?! Ti ike dhe na le…ç’na bere keshtu?!”
Agron Duka: “Vdekja e parakohshme e mikut tim Fino – një lajm tronditës. E kam njohur si kryeministrin e suksesshëm të qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Kam bashkëpunuar si koleg dhe deputet. Ngushëllime familjes Shpirti i pushoftë në paqe.”
Astrit Patozi: “NJË ZJARRFIKËS I SHERREVE TONA TË EGRA DHE TË PAZAKONTA
Bashkim Finon do ta mbaj mend si kundërshtarin në parlament, që nuk të linte ta harroje. Pasi shfaqej vrullshëm dhe papritur herë pas here, edhe pse nuk shquhej për protagonizëm të sforcuar. Nuk e di pse i kishte caktuar vetes një si rol gardiani, sa herë trajtoheshin tema të pushtetit lokal, pasi në ato raste kthehej në problem edhe për të tijët. Por mendoj se ai do të kujtohet më shumë për sensin e veçantë të humorit dhe për kujdesin e vazhdueshëm për të fikur zjarre në debatin gjithmonë të ndezur të politikës sonë agresive, jo vetëm në stinë fushatash. Sot mora vesh se Bashkimi nuk ia doli dhe mendova se ai ka lënë një zbrazëti jo të vogël në atë cepin e vet të politikës, të cilin besoj se e kishte zënë pa kapërcyer mbi të tjerët. U prehtë në paqe!”





