Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dhënë detaje nga procesi i vaksinimit masiv që nisi mëngjesin e sotëm në të gjithë vendin.

Nga sheshi “Skënderbej”, ministrja tha se kanë kaluar objektivin e vendosur, duke vaksinuar gjatë ditës së sotme 11 487 persona.

“Përgjatë ditës së sotme, jo vetëm që e kemi arritur targetin që kishim vendosur, prej 10 mijë vaksinimesh, por madje e kemi kapërcyer atë. Kemi arritur në 11 487 të vaksinuar përgjatë kësaj dite. Ne do të vijojmë përgjatë gjithë kësaj periudhe me intensifikimin e procesit të vaksinimit, duke vijuar vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, edukatorëve të kopshteve dhe çerdheve. Gjithashtu do të vijojmë me vaksinimin masiv të grupmoshës +70 vjeç, qoftë në qendra shëndetësore, qoftë në këto pika të vaksinimit të përqendruara. Mjeku i familjes do t’ju njoftojë për datën, vendin dhe orën e vaksinimit. Është vetëm mjeku i familjes ai që ka regjistrin elektronik dhe nëpërmjet regjistrin elektronik nxjerr dhe të gjithë listën e personave që i përkasin fashave të përcaktuara, sipas grupmoshës për vaksinim”, tha Manastirliu.