100 milion euro për t’u përforcuar në verë. Milani i ka idetë e qarta dhe tashmë edhe buxhetin për të bërë disa lëvizje në momentin e hapjes së merkatos.
Kuqezinjtë kursyen në janar dhe me kualifikimin në Champions League i kanë krijuar vetes komoditetin edhe për të shpenzuar.Prioritet janë disa dhe ndër to është nënshkrimi me mbrojtësin Fikayo Tomori, i cili është huazuar nga Chelsea. 28 milion euro e ka klauzolën anglezi, por Milani po tenton të bëjë ndonjë ulje.
Kjo ka pas gjasa të ndodhë, por sërish nuk përbën problem.Italianët e kanë ndarë mendjen dhe do e blejnë 23-vjeçarin. Në plan janë edhe rinovimet me Zlatan Ibrahimovic dhe Mario Mandzukic.
Kualifikimi në Champions madje i shmang bisedimet me sulmuesin kroat, kurse me suedezin besohet se do gjendet gjuha e përbashkët.
“Gazzetta dello Sport” vijon me artikullin e saj dhe thekson se Milani po planifikon të blejë Dusan Vlahovic nga Fiorentina, kurse Nikola Vlasic i CSKA Moscow, i cili luan si mesfushor, mund të tentohet në rast se nuk rinovohet me Hakan Calhanoglu.
Me turkun vijohet të bisedohet, sikurse edhe me portierin Gigio Donnarumma. Nuk do të jetë e lehtë, sidomos me “gardianin” dhe Pierluigi Gollini dhe Mike Maignan janë dy emrat e portierëve që Milani po i mban në mbikëqyrje për të vepruar në momentin e duhur.





