Teksa sot shënon dita e katërt e fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që ta nisë ditën me një videomesazh.

Në një video të publikuar në ‘Facebook’ kreu i qeverisë nuk e fsheh optimizmin për sigurimin e dozave të vaksinave anti-covid, ndërsa premton se deri në verë jeta do t’i kthehet normalitetit.

Madje ai jep shpresë të fortë edhe për turizmin në vendin tonë, ndërsa thekson se Shqipëria do të presë turistë nga e gjithë bota.

“Kjo kohë që po e lëmë pas ishte tejet e vështirë, por ne nuk jemi nga ata që dorëzohen jo. I siguruam vaksinat kundër të gjitha parashikimeve, për pak muaj kjo vuajtje do të mbarojë. Shqipëria këtë verë do të presë turistë nga e gjitha bota. Hotelet, baret e restorantet, klubet, edhe në majë të malit do të jenë të hapura, pa orare kufizuese.

Do të kthehemi përsëri në jetën tonë të dëshiruar dhe do të vazhdojmë me forcë e me shpejtësi përpara. Kemi kaq shumë punë për të çuar deri në fund, e plot të mira e gëzime për të ndarë me njëri tjetrin. Shqipëria është e ardhmja jonë!”, thuhet në videomesazhin e Ramës.