Kandidati i Partisë Demokratike për deputet Igli Cara ka deklaruar se të rinjtë janë e ardhmja dhe ata duhen ndihmuar me çdo mënyrë që vendit t’i kthehet shpresa e ditëve më të mira.
“Rinia është e ardhmja, – ka thënë kandidati demokrat, – ndaj asaj i duhet kthyer shpresa.” “Bursa të plota studimi për studentët nga familjet e varfëra, studime falas për fëmijët e familjeve me të ardhura më të ulëta se 65 000 lekë në muaj, praktika njëvjeçare të paguara për studentët e diplomuar dhe subvencionimi i bizneseve që hapen nga të rinjtë janë disa nga pikat kyçe të alternativës që premton Partia Demokratike, – ka bërë të ditur kandidati Igli Cara. – Partia Demokratike i ka vënë të rinjtë në qendër të çdo politike të saj, që nga arsimi deri te hapja e bizneseve të reja.”
Igli Cara është një prej kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit dhe në ditët e para të fushatës ai ka zgjedhur të takojë edhe një grup të rinjsh.
“Studimet e larta të ciklit të parë dhe të dytë, bachelor dhe master, do të jenë falas për të gjithë studentët që vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta se 65 000 lekë në muaj. Ata nuk do të paguajnë asgjë për të studiuar në universitet, – ka thënë kandidati i Partisë Demokratike. – Ndërkohë, çdo vit do të akordohen edhe 5 000 bursa për studentët që vijnë nga familje të varfëra.”
“Asnjë i ri apo e re nuk do të privohet nga studimet e larta për shkak të gjendjes ekonomike. Diskriminimi i vendosur nga qeveria e Ramës me tarifat e larta të studimit do të marrë fund më 25 prill,” – ka premtuar Igli Cara.
Njëkohësisht, studentët do të shpëtojnë edhe nga mungesa e eksperiencës, që i penalizon ata në tregun e punës. “Çdo vit, 10 000 studentë të diplomuar do të kenë mundësi të ndjekin praktika njëvjeçare të paguara në masën 30 000 lekë në muaj,” – ka shtuar kandidati demokrat në takimin e zhvilluar me të rinj në Durrës.
Ndërkohë, Igli Cara ka vënë në dukje se Partia Demokratike ka në vëmendje jo vetëm studentët, por edhe kategori të tjera të të rinjve, ku bien në sy politikat për nxitjen e inovacionit dhe të sipërmarrjeve të reja që të rinjtë do të hapin.
“Inovacioni dhe bizneset novatore që të rinjtë do të hapin do të krijojnë edhe më shumë mundësi punësimi,” – u ka thënë Igli Cara të rinjve.
“Partia Demokratike premton hapjen e katër inkubatorëve të biznesit me qëllim nxitjen, promovimin dhe financimin e ideve novatore të të rinjve dhe shndërrimin e tyre në biznese të suksesshme,” – bëri të ditur kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit.
“Vendit i duhet kthyer me çdo kusht shpresa për të ardhmen, – ka nënvizuar Igli Cara. – Vota për ndryshim më 25 prill do të jetë edhe vota për një të ardhme më të mirë për të rinjtë.”
Ai ka theksuar se niveli i papunësisë mes të rinjve ishte shumë i lartë. “Tre në çdo pesë të rinj janë të papunë, – ka thënë ai. – Sondazhet tregojnë se rreth 94 për qind e të rinjve që studiojnë jashtë vendit nuk duan të kthehen më, ndërsa mbi 82 për qind e të rinjve në vend duan të emigrojnë. Të gjithë bashkë të përpiqemi që më 25 prill ta ndryshojmë këtë gjendje të pashpresë.”
Në fund, kadidati i Partisë Demokratike ka vënë në dukje se “ky takim do të ishte edhe më i madh, por të gjithë ne duhet të mirëkuptojmë vështirësitë e pandemisë së COVID-19.” “Por, padyshim që mesazhi i ndryshimit dhe shpresës vlen për të gjithë të rinjtë, vlen për të gjithë shqiptarët. Të bëhemi bashkë për të sjellë ndryshimin, nga i cili ne të gjithë do të fitojmë”, – ka deklaruar kandidati demokrat Igli Cara.





