Intervistoi Mila Ballhysa

Kryetarja e FRESSH Durrës, Klementina Meçi është njëra nga kandidatet për deputete në listën e PS-së për qarkun tonë, madje kandidatja më e re në moshë.

29-vjeçarja me profesion ekonomiste, krahas angazhimit profesional dhe drejtimit të forumit rinor eurosocialist, është njëkohësisht anëtare e Këshillit Bashkiak dhe lektore e jashtme në UAMD. Si përfaqësuese e të rinjve durrsakë, ajo thekson se me angazhim maksimal dhe vullnet çdo gjë është e arritshme.

Prej disa javësh, Meçi është mjaft aktive në rrjete sociale me postime të ndryshme nga takime që zhvillon jo vetëm me të rinjtë e qytetit, votuesit për herë të parë, por edhe me gra e vajza anëtare të PS dhe jo vetëm.

Në intervistën për “DurrësLajm”, Meçi thekson se angazhimin publik dhe politik e ka nisur që në moshën 18-vjeçare si pjesë e strukturave të FRESSH Durrës, por edhe me kauza civile.  

Krahas angazhimit politik, Meçi tregon se përfshirja e saj në jetën publike në Durrës, më shumë ka ardhur edhe si një ndjenjë e brendshme për të kontribuuar në shoqëri dhe komunitet, për të bërë më të mirën për qytetin.

Si disa nga pikat e forta të Partisë Socialiste dhe qeverisë Rama për të rinjtë, Meçi rendit punësimin e studentëve ekselentë, meritokracinë në punësimet në administratë apo fokusimin e të rinjve drejt arsimit profesional, duke u hapur atyre mundësi të reja punësimi në tregun e punës.

Por si e sheh kandidatja e PS-së emigrimin në masë të të rinjve, kryesisht drejt BE-së?

“Fenomenin e emigrimit unë përherë e kam lidhur me globalizimin apo lehtësimin e lëvizjes. Është zgjedhja e një kategorie të caktuar që të shkojë jashtë vendit për të studiuar dhe të kthehen sërish në atdhe. Nga ana tjetër, ka të rinj që zgjedhin të shkojnë jashtë vendit dhe gjejnë veten e tyre atje, kontribuojnë atje. Unë futem tek ata të rinj që kam zgjedhur të jetoj, të studioj dhe të punoj në vendin tim dhe specifikisht në Durrës”,– thotë Meçi.

Si kryetare e një forumi rinor, kandidatja Meçi ka një mesazh drejtuar sidomos votuesve për herë të parë për partinë politike për të cilën ata do të votojnë më 25 prill.

“Unë përfaqësoj një të re që nuk ka pasur asnjë lloj suporti të jashtëm apo të brendshëm përveç punës sime dhe angazhimit pa mbarim për PS-në. Nga ana tjetër, kam gjetur tek PS të drejtën për të qenë e konkurueshme, të drejtën për të ngritur zërin edhe për kauza që duhet të bëhen akoma më mirë. Gjithë procesi i rindërtimit është shumë i rëndësishëm, ashtu si edhe mënyra si po menaxhohet pandemia. Të gjitha këto reforma dhe të gjitha këto investime për qytetin e Durrësit dhe për Shqipërinë, patjetër që duhet të vlerësohen, duhet që ne, të gjithë bashkë, të shkojmë tek alternativa e duhur. Alternativa e duhur pa diskutim është Partia Socialiste”,- thotë Meçi.