-Interesim i jashtëzakonshëm në Kosovë për këtë prezantim historik
-Ekipi i Prizrenit me 24 mars i jep fund përgatitjeve në Durrës
DURRES, 20 mars 2013– Këtij lajmi nuk i është bërë jehonë, por agjencia e lajmeve Dyrrah ruan ekskluzivitetin e përhapjes së tij. Jemi takuar ditët e fundit në pallatin e sportit Ramazan Njala, me kosovarin energjik Sadik Ferati. Ai kishte dëshirë jo vetëm të bisedonte me ne, por edhe të informonte mbi një dikuri tejet të veçantë. Por para se të informojmë për atë çka na tregoi ky përfaqësues i sportit kosovar, shkurt për lexuesit për të ditur se cili është bashkëbiseduesi ynë Sadik Ferati. I lindur në Prizren të Kosovës në vitin 1975, filloi të ushtronte sportin e mundjes që në moshë të njomë. Puna me trajnerin e famshëm kosovar Sulejman Shala, i dha frutet e veta. Duke vendosur forcën e muskujve të tij të krye të mundjes kosovare, Sadik Ferati në moshën 16 vjeçare mori pjesë në kampionatin botëror të mundjes zhvilluar në Alma të Kanadasë në vitin 1991. Në peshën e parë në mundjen e lirë, shqiptari Ferati u shpall kampion bote duke pronësuar medaljen e artë. Në atë viti Ferati përfaqësonte ish Jugosllavinë. Ka kaluar pa u vënë re një dukuri interesante. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e vlerëson Sadik Feratin, sportistin e vitit 1991 për mbarëshqiptarët në botë.
Por karriera e Feratit rrodhi mirë e bukur në rolin e trajnerit. Pasi mbaroi studimet e larta në kulturën fizike, Ferati është mësues i lëndës së edukatës fizike dhe sporteve në kolegjin Mehmet Akif dhe në shkollën e mesme Gjon Buzuku të Prizrenit. Le të kalojmë tek evenimenti që mësuam nga Ferati. Në kampionatin kombëtar zhvilluar në Kosovë në basketboll për meshkuj për grupmoshat 1996-97, ekipi i shkollës së mesme Gjon Buzuku të Prizrenit me trajner Sadik Feratin u rendit në vendin e parë. Si rrjedhojë e kësaj, fitoi edhe të drejtën të përfaqësojë Kosovën në kampionatin botëror të rinisë shkollore që zhvillohet në Qipro nga 28 mars deri më 4 prill 2013. Mbase nuk dihen arsyet e vonesës së njoftimit për këtë pjesëmarrje, por ajo befasoi tërë Republikën e Kosovës, pasi është hera e parë që ky shtet është pjesmarrës në një veprimtari pikante botërore. Për të fituar kohën e humbur, prej ditësh ekipi i basketbollit të shkollës së mesme të Prizrenit Gjon Buzuku i akomoduar në plazhin e Durrësit, po stërvitet dy herë në ditë në Ramazan Njala. Autoritetet e klubit shumësportësh Teuta, janë angazhuar maksimalisht që ekipi kosovar i basketboll të realizojë planin e tij përgatitor.
Falënderimi vjen nga Sadik Ferati, i cili pohon se e tërë Kosova po ndjek me vëmëndjen përgatitjet e këtij ekipi basketbolli dhe që sportëdashësit dhe qytetarët e saj, janë të interesuar edhe për një përfaqësim sa më të arrirë në Qipro. Kosova është në grupin D, ku së bashku me tog janë edhe ekipet nga Sllovenia, Qipro dhe Kili. 24 ekipët pjesmarrëse janë ndarë në 6 grupe, ku dy më të mirat vazhdojnë të drejtën për të vazhduar më tej garën. Ferati befason kur deklarohet se, ekipi i të rinjve të Prizrenit pritet të renditet në vendet surprizë. “Kemi ekip shumë të mirë, pohon bashkëbiseduesi. 17-të vjeçarët tanë mesataren e gjatësisë e kanë 1.87 m. Emrat e tyre janë: Miran Xheladini, Ardit Kololli, Ardit Osmani, Amar Çakalli, Miran Hoxha, Gent Mahmuti, Denis Kaçanik, Andi Shehu, Rigon Hasi dhe Ardit Beqiri. Së bashku me mua ekipi stërvitet edhe nga kolegu Dervish Agaj.” Për shtatlartësi veçohen sidomos basketbollistët Amar Çakalli dhe Andi Shehu, që janë respektivisht 1.95 dhe 1.96 m. Grumbullimi i ekipit përfundon me 24 mars, për tu ndodhur në Qipro me 27 mars 2013. Ndonëse seleksioni është ndërtuar mbi bazën e një shkolle, interesimi rrok tërë Republikën e Kosovës. I urojmë suksese Gjon Buzukut të Prizrenit, në këtë përfaqësim historik të basketbollit kosovar.
/b.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





