DURRES, 19 mars 2013 – Mbrëmjen e djeshme në Ramazan Njala, Teuta priti në takimin e parë gjysmëfinal për fazën e plejofit, rivalen e saj të vjetër Vllazninë e Shkodrës. Edhe njëherë tjetër shkodranët treguan se mbeten ekip me grintë dhe që janë të gatshëm të bëjnë edhe surpriza, nëse tregon nëvleftësim ndaj tyre.

Kështu vepruan durrsakët, të cilët e kishin marrë lehtë ballafaqimin. Kjo u duk edhe në përbërjen që prezantoi në fillimin të takimit trajneri maqedonas Nakovski, ku vendos Litin si pasues në vend të Aldo Dashit dhe si shuter luajnë Moku dhe Bardhi duke zëvëndësuar Jurgen Dashin dhe Pepën. Tri setet e para, konsumuan gati 30 minuta secila.

Teuta e filloi mbarë, por miqtë nuk i ndahen. Moku përpiqet të justifikojë qënien si titullar, po kështu edhe Bardhi me Litin. Fitorja e setit do të ishte e vështirë, pasi Vllaznia në pasin e Çekinit dhe gjuajtjet e forta të Juknit, Qafarenës, Qerraxhisë, Milotit e Drinazit tregoi se nuk kishte ardhur për eskursion në Durrës. Dramatik për nga ecuria mbeti seti i dytë.

Në fazën finale janë shkodranët që diktojnë pikën e epërsisë, por që barazohen nga vendasit. Kështu 24-24, 25-25 dhe përfundimisht 27-25 për Vllazninë. Loja vendoset në barazpeshë. Nakovski detyrohet të aktivizojë lojtarë të përbërjes kryesore si vëllezërit Dashi, Pepën dhe më tej Nazifin. Loja kalon në faza interesante dhe të bukura, që duartrokitet nga sportdashësit.

Falë qetësisë në pikët e fundit dhe gjuajtjet e sakta të dyshes malazeze-bosnjake Medenica-Renovica, durrsakët arrijnë ta mbyllin në favor të tyre setin e tretë me shifrat 25-23. Pas këtij momenti, vjen më në fund edhe dorëzimi i shkodranëve të cilët duket se kishin konsumuar shumë energji në tri setet e mëparshme. Pas barazimit 10-10, Teuta shkon e sigurtë drejt fitores së setit 25-18 dhe të krejt takimit 3-1. Të premten në Shkodër zhvillohet ndeshja e dytë ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë.

TEUTA  – VLLAZNIA  3-1                         

SETET:  25 – 22, 25-27,  25- 23, 25-18

Formacionet

TEUTA: Bardhi, Moku, Liti, Myftari, Medenica, Renovica/ A. Dashi, J. Dashi, Medenica, Pepaj, Nazifi, Renovica/ Koleka, Bardhi, Myftari, Vora, Moku, Liti. Trajner: H. Nakovski

VLLAZNIA: Rrahishta, Miloti, Qafarena, Jukni, Çekini, Qerraxhija/ R. Kola, Drinazi, Taflaj, Tafa, Gjoni, K. Kola. Trajner: A. Kalaja

GJYQTARË: R. Omari, R. Kuka