TIRANE, 19 mars 2013 – Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë që gjyqtarja Teuta Hoxha, të pezullohet nga detyra.

Hoxha, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi ka dhënë një vendim gjykate duke u bazuar mbi dokumente të falsifikuara. 

Ditën e enjte, KLD-ja do të marrë nën shqyrtim kërkesën e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo e fundit pretendon se gjyqtarja Hoxha, ka marrë  nën shqyrtim një çështje civile mes dy familjeve në Bathore, bazuar mbi një kontratë të falsifikuar.

Sipas Prokurorisë, gjyqtarja Teuta Hoxha kishte dijeni të plotë për falsitetin e dokumenteve e megjithatë ajo ka pranuar t’i marrë nën shqyrtim. 

Prokuroria është duke hetuar gjithashtu edhe një notere, e cila akuzohet se ka njësuar kontratën e falsifikuar, si dhe dy avokatët mbrojtës të çështjes civile në fjalë. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/