TIRANE, 18 mars 2013– Humbja 3-6 në fundjavë përballë Flamurtarit ka shkaktuar kaos te Tirana dhe bordi drejtuesi i klubit është mbledhur për të nisur ‘spastrimet’.

Në këtë mënyrë, emrat e parë që largohen nga klubi janë administratori, Salih Tagani dhe drejtori teknik, Alban Tafaj. Sipas bordit drejtues të klubit, i cili është në varësi të bashkisë së kryeqytetit, përgjegjësia për të gjitha këto probleme që kanë kaluar bardheblutë, përfshirë edhe ato të vonesave të rrogave të lojtarëve, është e dy të shkarkuarve.

Këtë radhë, trajneri Nevil Dede nuk është prekur, si dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj lojtarëve. Ndërkohë, për të kaluar këtë situatë krize, si administrator i klubit është zgjedhur ish-lojtari dhe trajneri i bardhebluve, Krenar Alimehmeti. Ky i fundit njeh shumë mirë ambientin bardheblu dhe është një nga figurat më të respektuara nga tifozeria e Tiranës.