MINSK, 18 mars 2013 –Shqipëria e “degdisi” Bjellorusinë nga Evropa në vendet arabe për ndeshje miqësore, kështu mendon tekniku bjellorus, dy vjet pas disfatës në Tiranë.

53-vjeçari Georgij Kondratjev, i cili që prej 8 dhjetorit 2011 drejton ekipin kombëtar të Bjellorusisë, pasi i zuri vendin gjermanit Bernd Shtange, deklaroi më 18 mars 2013 në një konferencë shtypi se ekipi i Jordanisë krahasohet për nga niveli me ekipin kombëtar bjellorus, njoftojnë mediet sportive të Minskut.

Futbollistët më të mirë të vendit i pret një tur intensiv lindor.

Më 21 mars në Aman do të zhvillojnë ndeshje miqësore me ekipin e Jordanisë, dhe më 25 mars në Katar do të ndeshen me kanadezët.

Në prag të miqësoreve kryetrajneri i Bjellorusisë foli para gazetarëve.

I pyetur pse po shkonin kaq larg për të bërë ndeshje miqësore, Kondratjev-i tha:

– Më kuptoni, nuk jemi Brazili dhe Uruguaj që të na mbulojnë me oferta. Sigurisht, do të ishte e dëshirueshme të luanim në Evropë. Kemi përpunuar të gjitha variantet, por atje të gjitha skuadrat kombëtare janë të zëna. Shqipëria na rrokullisi.

Fraza “Shqipëria na rrokullisi” është veçuar nga gazetat bjelloruse, duke u vënë si titull i disa korrespodencave të gjata nga konferenca e shtypit.

Më 26 mars 2011 goli i Hamdi Salihit i solli fitoren Shqipërisë në “Qemal Stafa” për Euro 2012.

Nuk u kualifikuan as Bjellorusia as Shqipëria.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/