Pas Ekoparkut, kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në kantierin e ndërtimit të lagjes së re në Spitallë.
Rama shkruan në Facebook se kanë nisur punimet për infrastrukturën me 12 akse, kanalizime, ujësjellës, ndriçim të kësaj lagjeje të Rilindjes pas tërmetit.
“Durrës – Në kantierin e madh të lagjes së re të Spitallës, ku kanë nisur punimet për infrastrukturën me 12 akse, kanalizime, ujësjellës, ndriçim të kësaj lagjeje të Rilindjes pas tërmetit, me rreth 1000 apartamente, shkollë, kopësht, çerdhe, qendër shëndetësore, parqe e terrene sportive, si edhe një aks të ri kryesor lidhës me qendrën e Durrësit, për plot 4000 mijë banorë të rinj në këtë fazën të parë zhvillimi të krejt kësaj zone”, shkruan Rama.
Më tej, Rama nuk e kurseu ironinë për demokratët ndërsa shtoi ata nuk ishin të zotët që të përmirësonin cilësinë e diellit.
“Këtu bëhet fjalë për ardhje në një lagje super del. Do të jetë lagja më e bukur e Durrësit, pasi gjithçka do të ndërtohet nga planet e së ardhmes, s’do të ketë asnjë nga bëzhdilat e së shkuarës, siç janë lagjet europiane. Nga pikëpamja e arkitekturës, flet vetë projekti. Do të jenë hapësirat për parkime, Kopshti, çerdhet, qendrat shëndetësore, do të jetë një nga lagjet rezidenciale, që janë jo në qendër të qytetit. Me stadiumin e ri, me Ekoparkun, është një botë e re që lind në këto themele këtu dhe që do të zhvillohet. Brenda këtij viti ky projekt do të jetë realitet. Ata që do të marrin apartamentet e tyre, do t’i paguhet qiraja. Kush do të vijë në këtë lagje, do t’i bëjë dhuratë fëmijëve të vetë. Çka kemi trashëguar ne në vite, në pikën më të dobët, janë për fëmijët pasi nuk kanë hapësira. Edhe për të moshuarit do të jetë fantastike. Ne nuk e kemi zotësinë që të rregullojmë cilësinë e diellit, këtë e kanë ata që e kërkuan rritjen e cilësisë së diellit dhe e lanë Durrësin vatra kancerogjene. Por mundëson që cilësia e ajrit të Durrësit të jetë përmirësuar në mënyrë eksponenciale. Ja pse mandati i tretë është me rëndësi.”, tha Rama.