DURRES, 15 mars 2013 – Teuta u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes së nesërme, të cilën do ta luajnë në shtëpi kundër Kastriotit. Në këtë sfidë sa delikate aq edhe të vështirë, durrsakët do të paraqiten me tre mungesa të rëndësishme, pasi burime Brenda klubit konfirmojnë se nuk do të jenë në dispozicion për arsye të ndryshme qendërmbrojtësit Arjan Sheta, Tefik Osmani dhe mesfushori Bledar Hodo.
Megjithatë lajmi i mirë është rikthimi në këtë sfidë i Nikës dhe Mancakut, të cilët ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit (1-1), munguan. Mancaku mungoi në atë përballje sepse kishte plotësuar numrin e kartonave, ndërsa Nika për shkaqe shëndetësore.
Ndonëse e cilësojnë si ndeshje të vështirë, durrsakët pohojnë njëzëri se do ta kalojnë këtë pengesë. Mesfushori Emiliano Veliaj pak orë përpara sfidës deklaroi se skuadra është gati, ndërsa premtoi se Teuta do të dalë me fitore nga fusha e saj.
“Do të jetë një ndeshje interesante, pasi kundërshtari vjen mjaft i motivuar, pasi luan kundër Teutës. Gjithsesi, ne jemi një skuadër kompakte dhe e gatshme për të mposhtur çdo kundërshtar. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, ku nuk do të pranojmë rezultat tjetër përveç fitores. Jemi përgatitur për ta fituar këtë sfidë dhe fitoren do të përpiqemi ta marrim që nga fillimi i ndeshjes”,- tha mesfushori beratas.
I të njëjtit mendim janë edhe mbrojtësit Akil Jakupi dhe Artan Sakaj, të cilët në mungesë të Shetës dhe Osmanit, kanë mbi supe të gjithë përgjegjësin e mbrojtjes durrsake.
“Besoj se do të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat, prandaj nuk duhet ta mbivlerësojmë kundërshtarin me shumë se ç’duhet. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, por Teuta nuk duhet ta diskutojë fitoren në takime të tilla. Ne jemi më superior se kundërshtari dhe fakti që luajmë në shtëpinë tonë na bën favorit. Kastrioti duhet t’i bëjë mirë llogaritë, pasi nuk duhet të pretendojë as për një barazim në Durrës”,- pohoi për Agjensinë e Lajmeve “Dyrrah” mbrojtësi Akil Jakupi.
Ndërsa Sakaj u shpreh: “Është një ndeshje shumë e vështirë, por ne dëshirojmë ta fitojmë. Kjo fitore do të na jepte më shumë siguri dhe do të na i lehtësonte akoma edhe më shumë gjërat për të arritur objektivin, ndaj them se është një shans i artë për ne dhe nuk besoj se do ta humbim. Kastrioti është një kundërshtar i fortë dhe i rrezikshëm, por të mos harrojmë që luan me Teutën. Ne jemi favorit për ta fituar këtë përballje dhe do të japim maksimumin për ta bërë realitet”,- theksoi Artan Sakaj.
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/