DURRES, 14 mars 2013 – Mbrëmë, në orën 18:00, në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, u shfaq premiera e filmit dokumentar “Aktori që i ngriti vetes monument”, kushtuar artistit të madh, të pazëvendësueshëm Nikolin Xhoja. Ky dokumentar hedh dritë mbi jetën dhe krijimtarinë e aktorit të njohur, i cili u nda nga jeta më 25 tetor 1987. Nikolin Xhoja lindi në Brindisi (Itali), më 12 maj 1926. Babai i tij ishte italian, ndërsa e ëma shqiptare, vajzë e një familjeje të njohur durrsake. Në 1932, së bashku me të ëmën ai erdhi në Shqipëri dhe qysh prej asaj kohe nuk u kthye më në vendlindje. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, ai u përfshi në radhët e njësiteve partizane, të cilat luftuan edhe për çlirimin e Kosovës. Me kthimin në Durrës, ai nisi punë pranë Bankës së Shtetit dhe shumë shpejt u përfshi në lëvizjen amatore si aktor. Me hapjen e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, më 11 janar 1953, ai nis punën si aktor profesionist. Ndërkohë që aftësitë e tij i shfaqte çdo moment gjatë performimit të tij në skenë ku dhe nëse fjalët e skenarit nuk i vinin në mendje arrinte ti improvizonte duke i sjellë ato në mënyrë spontane e shndërruar në sukses.Ashtu sic drama shkruhet ne teatër Nikolin Xhoja e shkruante dramën e tij sa herë që ngjitej ne skenë,duke mbetur deri në fund si një ogur i çmuar në gjerdanin e këtij teatri. Në kinematografinë shqiptare, Nikolin Xhoja u aktivizua në gjashtë filma, ku në mënyrë të veçantë spikati në filmat “Kapedani” (Xha Beqo), “Çifti i lumtur” (Babai përparimtar), “Horizonte të hapura” (Kiço, kuzhinieri).
Periudha e fundit e jetës së tij shënoi edhe anën më tragjike për këtë aktor të madh. Nikolini me famën e tij rrethohej nga njerëz cinikë, me një dëshirë të pangopur për ta rrënuar. Në vitin 1982, ndaj tij nisi dhe u përhap një fushatë e egër shpifjesh dhe degradimi. Në të njëjtën kohë marrëdhëniet e tij me teatrin dhe filmin u ndërprenë. Vetmia filloi të bëhej miku i tij, e cila e shoqëroi deri në hapat e fundit të jetës. Ishte aty duke i bërë shoqëri dhe në kafenenë ku ulej i harruar në rrugët e qytetit. Askush nuk kishte guximin t'i afrohej, si të kishte mëkatuar. Askush nuk kishte vullnetin të lahej në “mëkatin” e tij.
Si pasojë e kësaj situate ai u sëmur. Të vetmit miq që arritën ta thyenin vetminë ishin doktorët, të cilët me përkushtimin dhe seriozitetin e duhur i dhuruan 2 vite jetë me shpresen që të rikthenin Nikolinin e dikurshëm. Ishin ato vite të fundit të cilat përmes disa çasteve të bukura i dhuruan pakëz shoqëri dhe lumturi. Ishin ato momente ku miqtë e vizitonin dhe dhimbja për të papritur harrohej, duke e ngritur nga shtrati i vdekjes dhe rikthyer prapa në kohë. Nikolini një pelegrin i cili gjen vetveten në vargjet e Agollit:
Unë jam prej kohësh pelegrin, udhëtar në vendin e shpresës së thyer, jam ndarë pa dashur nga karvani im, ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat, me shami të grisur lidhur në kokë. Një Nikolin që s’e humbet toruan edhe kur zhgënjehet apo dështon, ai kërkon udhën e jetës, udhën e dashurisë njerëzore.
Fatkeqësisht udhëtimit të tij i erdhi fundi dhe në vitin 1987, ku përcoll për në banesën e fundit gati i harruar.
Kliton Nesturi tregon për realizimin e dokumentarit
Është një inisiativë shumë e madhe, të paktën unë personalisht e konsideroj Nikolin Xhojën një nga aktorët më të mëdhenj të historisë së teatrit dhe filmit shqiptar, për vetë shkallën e interpretimit, mënyrën e interpretimit dhe ishte shumë e vështirë të bëje diçka për të, ishte një aktor që ia ka ngritur vetë monumentin vetes dhe që pati fatin e keq që iku komplet i harruar. Ne kemi punuar shumë, nga dita që është folur për herë të parë për këtë projekt dhe deri sa është shfaqur sot, janë plot 15 muaj. Është bërë një punë goxha e madhe duke kërkuar nëpër arkiva, kemi parë shumë gjëra të tjera, kemi dashur të kapin persona që kanë qenë të lidhur me jetën e tij. Kemi pritur Aksinjën dhe Gjergj Vlashin për t'i intervistuar. Intervista e parë ka qenë më 8 shkurt me Aishe Starin, Bashkim Hoxhën, Enver Plakun dhe e fundit me datë 1 nëntor me Muharrem Fejzon. Në qoftëse do të bëje diçka për Nikolinin duhet ta bëje me shumë kujdes. Mendoj se nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe, kemi punuar në grup. Ai njeri nuk kishte nevojë për lavdërime, ia ka vënë kurorën vetë vetes. Sekreti i pathënë dhe që unë po e tregoj sot është që unë këtë titull e kam lidhur pak a shumë me Caplinin, ka qenë një shkrim i tiji. Ashtu si Çarli Çaplin i ngriti monument vetes dhe Nikolin Xhoja i ngriti monument vetes, duke parë rolet e tij si tek Kapedani, Horizonte të hapura etj.
Mes duartrokitjesh dhe urimesh të shumta për këtë aktor të madh që qyteti i Durrësit ka patur fatin ta ketë në gjirin e tij, ky dokumentar i realizuar me profesionalizëm nga një grup profesionistësh përcolli emocione të papërshkrueshme për publikun durrsak.
/m.ç. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





