DURRES, 11 mars 2013 – Barazimin në Vlorë durrsakët e kanë konsideruar si fitore, pasi arritën të ruanin sërish vendin e dytë. Sot skuadra e ka patur pushim, ndërsa duke nisur nga nesër do të vijojnë përgatitjet për ndeshjen e radhës që do të luajë në fundjavë në shtëpi ndaj Kastriotit.

Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah” mesfushori Renato Hyshmeri, pohoi se skuadra po i gëzohet barazimit, ndërsa premtoi se ndeshjen e radhës skuadra do të rikthehet tek fitoret.

“Për një skuadër si ne, barazimi nuk është rezultat pozitiv, por duke parë që përballë kishim një kundërshtar shumë të fortë dhe të motivuar si Flamurtari, e konsiderojmë një arritje. Minutat e fundit të ndeshjes kishim mundësi të shënonim përsëri, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Ishte një lojë shumë e fortë dhe besoj se rezultati 1-1, i shkon përshtat kësaj sfide. Jemi të kënaqur, pasi luajtëm në një fushë të vështirë”,- pohoi fillimisht Hushmeri.

Sipas mesfushorit skuadra tashmë është përqëndruar tek ndeshja e radhës. Teuta do të presë në shtëpi Kastriotin në një ndeshje shumë të vështirë dhe delikate, ku durrsakët janë të “dënuar” të fitojnë.

“Duke nisur nga sot do të nisim të punojmë për sfidën e radhës. Përpara kemi një rrugë shumë të gjatë dhe të vështirë për të ruajtur vendin e dytë, që është edhe synimi ynë, prandaj duhet që ndaj Kastriotit të marrim maksimumin. Krutanët po kalojnë një formë të mirë dhe parashikoj një ndeshje mjaft të vështirë. Mbi ne ka presion sepse na kërkohet ta fitojmë këtë përballje, prandaj duhet të punojmë sa më shumë gjatë kësaj jave, në mënyrë që ta studiojmë këtë ndeshje deri në detaj. Skuadra është mjaft e motivuar dhe do të japë më të mirën e saj”,- përfundoi Hyshmeri.