KAVAJE, 10 mars 2013–  Skandal në ndeshjen e Kategorisë Superiore Besa-Tirana. Ngjarja ka ndodhur në pushimin e ndeshjes, në dhomat e zhveshjes së ekipit të Tiranës.

Kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ka hyrë në dhomat e zhveshjes së ekipit të Tiranës, ka ushtruar presion ndaj lojtarëve dhe ka kërcënuar dhe ka goditur me grushta trajnerin e këtij ekipi, Nevil Dede.

Mësohet se për ngjarjen është bërë edhe një denoncim nga Dede, ndërkohë që në vend kanë mbërritur edhe forca të policisë.

Një incident i ngjashëm ka ndodhur dje pasdite në ndeshjen e luajtur në Gramsh mes skuadrës vendase dhe Mamurrasit, e cila u mbyll në barazim 0-0, takim i vlefshëm për javën e 20-të të Kategorisë së Parë. Aktori kryesor i saj ka qenë kryebashkiaku Dritan Bici. Qytetari i parë i Gramshit nuk e ka përtypur dot mosarritjen e një fitoreje nga skuadra vendase dhe i nervozuar nga rezultati 0-0 si dhe nga gjykimi i arbitrave, ka ndërhyrë me makinën e tij tip “Mitsubishi”, duke rrëzuar fillimisht derën dhe më pas i është drejtuar dhomës së arbitrave të ndeshjes. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/