SPANJE, 09 mars 2013– Pas paraqitjeve tejet zhgënjyese ndaj Milanit dhe Realit të Madridit, Barcelona arriti më në fund të gjejë rrugën drejt fitores, teksa mposhti sot Deportivon 2-0.
Me nga një gol të shënuar në secilën pjesë, katalanasit duket se u kthyen në identitet. Alexis Sanchez ishte ai që shënoi golin e parë në minutën e 38-të pas një krosimi të marrë nga Dani Alves.
Në pjesën e dytë, Sanchez u bë sërish protagonist duke pasuar një top për Lionel Messin, i cili shënoi golin e dytë për Barcelonën në minutën e 88-të të takimit.
Me këtë fitore Barcelona shkon 14 pikë larg Atletico Madrid, i cili gjendet në vend të dytë me një ndeshje më pak. Fitore ka arritur edhe Rayo Vallecano ndaj Espanyol me rezultatin 2-0. Ndërsa Valladoid, ndali Malagën në fushën e tij me rezultatin 1-1.