DURRES, 09 mars 2013 – Teuta është nisur drejt Vlorës me qëllimin e vetëm për të ruajtur vendin e dytë edhe pas këtij takimi. Durrsakët u kanë dhënë fund përgatitjeve në kuadër të kësaj përballje, ndërsa shpresojnë të dalin me një rezultat pozitiv nga stadiumi “Flamurtari”. Gugash Magani ka përgatitur skuadrën me të cilën do të prezantohet nesër në stadiumin Flamurtari, ku e vetmja mungesë e sigurt është ajo e mesfushorit Ansi Nika, i cili vijon të mos stërvitet me skuadrën, për arsye shëndetësore.

Skuadra, pas humbjes së të mërkurës në Kupë (3-0), ka patur heshtje shtypi. Nesër pritet që drejt Vlorës të nisen mbi 300 tifozë durrsakë, të cilët do të mbështesin skuadrën e zemrës në këtë përballje mjaft delikate. Për transportin e tyre janë vënë në dispozicion 4 autobus gratis, por pritet që edhe shumë të tjerë të udhëtojnë me mjetet e tyre, apo edhe me mjete të tjera të transportit publik. Ata e dinë mirë rëndësinë e kësaj përballje, prandaj nuk e kanë kursyer mbështetjen për skuadrën e tyre.

Tifozeria ka kërkuar nga skuadra të japë më të mirën e saj dhe së bashku të kthehen drejt Durrësit me fitore, çka do të thoshte vendi i dytë në kampionat.

Dy futbollistët e Teutës, Daniel Xhafa dhe Artan Sakaj, do të luajnë nesër ndaj ish skuadrës së tyre. Ata kanë mbajtur për vite me radhë veshur fanellën kuq e zi, madje Sakaj ka mbajtur për një kohë të gjatë edhe shiritin e kapitenit të Flamurtarit. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/