TIRANE, 09 mars 2013 Një foshnjë 1-muajshe nuk ka mundur të përballojë të ftohtin e barakes ku jetonin prindërit e tij dhe ka humbur jetën ende pa e nisur atë. Foshnja e një çifti romësh humbi jetën për shkak të të ftohtit në zonën e Shkozës në Tiranë. 

Nëna e bebes deklaroi për “News24” se e kishte të pamundur ta shpëtonte foshnjën e saj, për shkak të pamundësisë financiare dhe mungesës së një strehe. Gruaja, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur, deklaroi se prej vitesh endet rrugëve bashkë me bashkëshortin, pasi nuk kanë ku të jetojnë.

“Është tmerr, nuk kemi çfarë të bëjmë, më shikon si jetojmë. Nga të ftohtët vdiq, ngaqë rrija me qera derë me derë, shko aty fli shko këtu. Kështu është jeta. Nuk kemi rroba rrimë të lagur. Prandaj vdiq fëmija, e mbështolla por ai ngriu, ishte akull kallkan.”- u shpreh nëna. 

Ndërkohë trupi i foshnjës iu nënshtrua edhe autopsisë, rezultatet e së cilët konfirmuan se bebja e seksit mashkull ka humbur jetën nga i ftohti.