TIRANE, 09 mars 2013 – Këtë vit, në “Big Brother”, vajza më e bukur e shtëpisë quhet Elena. Ajo është edhe më e vogla në moshë. Bionde, e gjatë, me një stil të veçantë… Elena e di që është femër e bukur dhe për këtë arsye, rri krejtësisht lirshëm në ambientet e shtëpisë që e shohin të gjithë shqiptarët. Pa komplekse, ajo është parë shpesh teksa lëviz nëpër shtëpi vetëm me të brendshme. Ky fenomen deri tani i pazakontë në Shqipëri, po komentohet kudo dhe 18-vjeçarja ka filluar të shihet me sy jo të mirë, sidomos nga femrat. Por ajo ka një grua, që edhe pse nuk e aprovon deri në fund këtë sjellje, është gati ta mbrojë nga të gjitha e nga të gjithë. “Edhe i thashë merr pizhama me vete”. Nëna e Elenës na flet me dashuri për të bijën dhe tregon se do ta mbështesë, çfarëdo që ajo të bëjë…
Po e ndiqni Elenën?
Sigurisht që po e ndjekim. Unë pothuajse gjithë ditën jam në punë, por kur kthehem dhe gjatë darkës e shoh. Domethënë, sapo kam pak kohë në dispozicion, ulem të shoh vajzën.
Bashkëshorti juaj, e sheh?
Po, po, të dy bashkë e ndjekim.
Si po ju duket?
Në përgjithësi mirë, por ende nuk po sillet ashtu siç është në jetën e përditshme. Elena është natyrë më e hedhur, më e shkathët, më e komunikueshme. E keqja e saj është se nuk miqësohet dot aq shpejt me njerëzit apo me grupin. Mirëpo këto ditët e fundit duket se po afrohet bashkë më shumë me të gjithë, edhe pse e ka pak të vështirë miqësinë e menjëhershme. Ka të bëjë edhe diferenca e madhe e moshës që ka me të tjerët.
Ajo është shoqëruar që në fillim me Marselinon… Ju pëlqen kjo gjë?
Nuk më pëlqeu fakti që u ngjit aq shumë me të kaq shpejt, por siç duket është ndjerë vetëm në fillim dhe ka kërkuar një farë mbështetjeje. Ju duket i sinqertë Marselino karshi
Elenës?
Nuk më duket se ai po e përdor, sepse Elena i ka qejf edhe vetë këto lojërat me të tjerët, dhe ndoshta për këtë arsye është afruar më shumë me Marselinon. Por me sa kam vënë re ditët e fundit, sikur është distancuar ca, pasi besoj se ka kuptuar që nuk po i vlente. Me sa po shoh, është duke bërë përpjekje që të miqësohet me të gjithë.
Kush nga banorët do shkonte më mirë me Elenën, pra që i afrohet më shumë tipit të saj?
Nga vajzat nuk mund të them ndonjë emër. Edhe ajo që është moshatare, është tip krejt i ndryshëm nga Elena. Kurse të tjerat janë gati një brez më të mëdha dhe shoh që janë të ndryshme në mendime. Megjithatë, pak a shumë ajo po përshtatet.
Ju, ishit dakord që Elena të futej në “Big Brother”?
Të them të drejtën nuk kam qenë shumë dakord, por meqë ajo kishte dëshirë, pranova.
Pse nuk ishit dakord?
Sepse e dija që njerëzit do komentonin, gazetat do shkruanin edhe gjëra të pavërteta. Ishte ajo frika që vajzës mund t’i prishet imazhi, duke qenë se ajo do edhe të futet në botën e spektaklit e të mediave.
Keni dëgjuar apo lexuar ndonjë thashethem që nuk ju ka pëlqyer dhe ju ka shqetësuar?
Deri tani nuk kemi dëgjuar gjë, përveç atyre fotove që kanë dalë në “Facebook”, ku Elena është e zhveshur.
Në fakt janë shpërndarë dhe janë komentuar shumë ato foto. Po ashtu edhe mënyra se si Elena vishet nëpër shtëpi po komentohet masivisht… Ç’mund të thoni lidhur me këtë?
Ajo ashtu vishet edhe nëpër shtëpi dhe siç duket harron që atje e shohin të gjithë. I duket sikur është në shtëpi… Dhe ky ishte një konflikt që patëm para se ajo të futej në “Big Brother”. Unë e porosita, i thashë të marrë me vete pizhamet e të vishet siç duhet. Ajo që më thoshte: “Po ti mami e di që unë nuk fle dot ashtu”, me idenë që donte të rrinte edhe atje ashtu siç rri në shtëpi, dhe unë që vazhdoja e porosisja duke i thënë se atje e shohin të gjithë njerëzit. Po edhe këto vajzat e tjera me mini fare po vishen, po ç’ti bëjmë tani (qesh).
Po bashkëshorti juaj, e ka parë?
E ka parë dhe normalisht s’i vjen mirë. Pastaj është edhe fakti që këtu në Shqipëri përflitet dhe gjykohet çdo gjë. Duke e ditur se çfarë rrobash po merrte me vete, unë nuk e kisha problem, por ja që… Tani njerëzit do komentojnë si t’iu vijë për mbarë.
Nëse do ju jepej mundësia të komunikonit me vajzën, do i bënit vërejtje?
Po, patjetër! Gjëja e parë që do t’i thoja është që të vishet siç duhet.
Edhe i dashuri i Elenës, fotografi Endrit Mërtiri ka dhënë një intervistë… Ju, ishit në dijeni të lidhjes së tyre?
Po, sigurisht! Madje ne i morëm edhe Endritit mendim për futjen e Elenës në “Big Brother”. Pasi ajo ma tha mua dëshirën e saj dhe unë nuk isha fare dakord, e diskutuam edhe me Endritin nëse ishte kjo një zgjedhje e mirë apo jo për Elenën dhe për imazhin e saj. Në fund ishte një vendim që e morëm të gjithë bashkë. Megjithëkëtë, unë prapë me gjysmë zemre pranova, por meqë ishte dëshira e madhe e vajzës, nuk thashë jo. Na e mbushi mendjen të gjithëve, se edhe Endriti vetë nuk ishte shumë dakord (qesh). Pranuam me mendimin “Shko futu atje, po mos rri shumë” (qesh).
Keni dëshirë që të dalë sa më shpejt, apo i uroni që të arrijë deri në fund e të fitojë?
Unë dua atë që do vajza. Nëse ajo dëshiron të dalë, unë sigurisht e pres krahëhapur. Nëse ajo dëshiron të vazhdojë e të luftojë, edhe unë do ta përkrah deri në fund. Një nga arsyet pse nuk desha që Elena të merrte pjesë në këtë lojë, ishte për ta mbrojtur, sepse nuk dua që ajo të dëmtohet. Një prind gjithmonë kërkon ta mbrojë fëmijën. Por nëse Elena e ndjen veten mirë, unë do ta mbështes në çdo gjë që do bëjë.
/ADELAJDA XHAMANI, er.nu/Bluetooth/BalkanWeb/