BRAZIL, 08 mars 2013– Ish portieri i Flamengos, Bruno Fernandes das Dores de Souza, është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e ish të dashurës së tij, Eliza Samudio, e cila u rrëmbye dhe u vra në qershor të 2010. Vendimi për de Souza-n u dha mbrëmjen e djeshme nga një gjykatë në Brazil.

Ish portieri rrezikonte të dënohej me 41 vite burg, por ka përfituar ulje dënimi, pasi pranoi krimin e kryer. Në seancën e parafundit gjyqësore ai u shpreh se kishte që në fillim dijeni për vrasjen e ish të dashurës, megjithëse për një kohë të gjatë e kishte mohuar një fakt të tillë. Ai rrëfeu para gjykatës me lot në sy se vrau, shpërfytyroi dhe copëtoi të dashurën e tij, me qëllim që të shmangte pagesat pas ndarjes, për fëmijën e lindur nga raporti i tyre disa-vjeçar. 

Pas dy sezonesh të shkëlqyera në radhët e klubit të madh brazilian, Flamengo, 28 vjeçari konsiderohej si pretendent kryesor për një grumbullim midis tre portierëve që do të përfaqësojnë vendasit në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Megjithatë, ai u arrestua disa ditë më parë si i dyshuar kryesor, për zhdukjen enigmatike të të dashurës dhe nënës së fëmijës së tyre, 25-vjeçares Eliza Samudio.

Në një proces që ka tërhequr shumë vëmendje publike në Brazil, de Souza fillimisht mohoi të kishte njohuri për vendndodhjen apo fatin e Elizës.

Megjithatë, pasi një mik i tij dëshmoi se kishte dëgjuar prej Brunos të shprehte qëllimin e pajtimit të një vrasësi me pagesë për të eliminuar të dashurën, ylli i Flamengos rrefeu gjithçka ditën e enjte.

Sipas mediave braziliane, ai rrëmbeu të dashurën me një kushëri, në profesion polic, gjithashtu i arrestuar. Pasi e dërguan në një destinacion të veçuar, portieri pa se si viktima iu nënshtrua për disa orë torturave çnjerëzore, përpara se të ekzekutohej.

Futbollisti, më pas duket se mori pjesë në procesin e ndarjes së trupit në copa të vogla, të cilave iu hodhën si ushqim qenve të de Souzës. Trupi i viktimës nuk është gjetur kurrë.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/