DURRES, 08 mars 2013 – Pa dyshim nga ndeshjet më të bukura të Teutës në këtë edicion. Ndonëse në përbërje mungonte shtatlarti Orion Garo, durrsakët nuk u ndalën në synimin e tyre për të fituar ndaj Studentit. Pas humbjeve të vazhdueshme, më në fund durrsakët ndjejnë forcën dhe aftësitë e tyre për të pronësuar një sukses kaq të bujshëm.
Diferenca prej 26 pikësh, është treguesi më i mirë i epërsisë së krijuar nga basketbollistët e Teutës, të cilët të dirigjuar nga organizatori Pasha dhe duke u mbështetur nga loja në tabelë e Isakut dhe Berberit, si dhe duke shfrytëzuar saktësinë në gjuajtje edhe të Veselagut dhe Dodaj, arritën këtë fitore të rëndësishme që natyrisht nxit edhe për të tjerat.
Teuta e befason kundërshtarin e saj, që në prologun e ballafaqimit duke tentuar t'i marrë krahët që në periodën e parë. Dhe pasi e arrin atë në shifrat 24-21, shtrin epërsinë edhe në 10 minutat e dyta. Pjesa e parë mbyllet 45-31, duke i dhënë mundësi lojtarëve vendas të shtonin sigurinë edhe në dy periodat e fundit.
Organizatori i Teutës Ilma Pasha ishte në një ditë ëndërrash, duke manifestuar një nivel të paparashikuar. Duke të kujtuar Profkolën e viteve 70-të, Pasha tregoi cilësi të mira teknike dhe aftësi realizuese. Edhe në periodën e tretë dhe të katërt, vendasit nuk e ulën ritmin dhe i imponuan kundërshtarit një lojë të shpejtë. Formacioni i Studentit nuk arriti për asnjë çast të merrte frymë, duke u dorëzuar shumë minuta para përfundimit të të gjithë takimit. Në përfundim Teuta arrin të shënojë 96 pikë, duke pësuar 70.
TEUTA – STUDENTI 96-70
Setet: 24-21, 21-10, 25-19, 26-20
TEUTA: Veselagu, Pasha, Isaku, Berberi, Dodaj, Balla, Sabahi, Pergjoka.
Trajner: S. Mëngjezi
STUDENTI: Moja, Kristo, Tufa, Qehajaj, Tafaj, Habibi, Çaushaj, Xheka, Gorrellari, Beqo, Hoxha. Trajner: M. Kristo
Gjyqtarë: G. Basho, J. Gogaj