Tiranë, 8 mars – Për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hartuar edhe strategjinë e edukimit të qytetarëve në gjuhën e tyre, pasi dihet që në vendin tonë jetojnë edhe pakica kombëtare. 

Me nisjen e fushatës zgjedhore, kohë që lidhet dhe me fillimin e punës për edukimin e zgjedhësve, KQZ do të fillojë që të transmetojë spote audio-vizive, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera në ato zona ku jetojnë pakica. 

Një kërkesë e tillë është shtruar edhe nga anëtarit i këtij institucioni, Jani Jani, i cili është propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. 

Sipas strategjisë së KQZ-së, gjuhët që do të përdoren do të jenë ato të 5 minoriteteve: greke, maqedonase, rome, serbo-malazeze dhe vllehe. Spotet televizive janë pjesa më thelbësore e fushatës së edukimit, informimit dhe sensibilizimit zgjedhor. 

Ato do të përdoren vetëm në televizionet lokale, ku ndikimi i tyre mbi popullatën e asaj zone ka efekt të madh, siç mund të jenë nga Gjirokastra, Himara për gjuhën greke dhe në zonën e Korçës për gjuhën maqedonase. 

Gjatë fushatës janë parashikuar që të ndërtohen 3 spote, të cilët do të ndahen në disa kategori, si spote edukative, informativo-edukative, ndërgjegjësues dhe sensibilizues.