TIRANE, 08 mars 2013 – Zbulohen fakte të reja nga tri episodet e mashtrimeve të Shemsie Kadrisë në dëm të qytetarëve pas lirimit të saj nga burgu në vitin 2007. Ish-drejtuesja e skemës piramidale “Gjallica” është dërguar në gjyq me akuzën se u ka marrë tri qytetareve një shumë prej 20 milionë lekësh të rinj me anë të mashtrimit. Sipas hetimeve, shtetasja Esma Kapllani i ka paguar 2 134 500 lekë Shemsie Kadrisë, ndërsa Firdes Sulkollari ka paguar 2 290 00 lekë dhe 2700 dollarë te shtetasja Shemsie Kadria.
Ish-drejtuesja e Gjallicës u ka dhënë dy qytetareve mandate arkëtimi, të cilat mbajnë datat 7 qershor 2008 dhe 30 mars 2008. Mandatet janë lëshuar në emër të kompanisë “A&E Albtur” në një kohë kur kjo kompani nuk ka qenë fare në aktivitet. Sipas dosjes së dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, mësohet se gjatë hetimeve, Prokuroria kërkoi të dhëna nga organet tatimore dhe mësoi se në vitet 2010-2011, kompania, emri i së cilës është përdorur nga Shemsie Kadria, “nuk ka qenë në aktivitet”. Kjo gjë është deklaruar në tatime, por është sqaruar edhe nga shtetasi A. Sh., administrator i subjektit në fjalë. Ky i fundit ka pohuar se nuk ka prenotuar kurrë apartamente nga askush, pasi kompania në fjalë ka qenë gjithnjë me aktivitet zero. Hetimet e mëtejshme të Prokurorisë kanë gjetur se në mandatet e arkëtimit të lëshuara nga Shemsie Kadria, megjithëse shënohej në fund emri A. SH. si përfaqësues i kompanisë ndërtuese, në fakt firma është hedhur nga ish-drejtuesja e Gjallicës, dhe jo nga personi emri i të cilit ishte vendosur aty.
E dyshuara po kështu ka prezantuar te qytetarët e dëmtuar shtetasen Violeta Qalliu si financiere të kompanisë së ndërtimit në një kohë kur nga verifikimi i dokumenteve del se personi në fjalë nuk ka qenë kurrë e punësuar në kompaninë në fjalë si financiere dhe as me ndonjë detyrë tjetër. Rasti i tretë i mashtrimit nga Shemsie Kadria ka të bëjë me shtetasen Flutura Kambolli, së cilës ish-drejtuesja e Gjallicës i ka kërkuar një shumë parash (1.7 milionë lekë) për t’ia kthyer një pjesë në apartament dhe tjetrën me fajde. Kambolli i ka dhënë një shume prej 600 000 lekësh Shemsie Kadrisë dhe me pas i ka dorëzuar edhe disa shuma të tjera, shumë e cila arriti në vlerën 1 700 000 lekë dhe për këto shuma shtetasja Shemsie Kadria do të paguante një interes 20 për qind në vit. Gjykata është shprehur në një vendim të saj se që nga muaji qershor 2010 e dëmtuara nuk ka kontaktuar dhe as është takuar me shtetasen Shemsie Kadria.
Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/03/08/shemsia-mblidhte-para-kompania-pa-aktivitet/#ixzz2MxtNc0jw





