TIRANE, 08 mars 2013 – Në një kohë kur Qeveria paguan miliona dollarë për kompanitë amerikane që lobojnë për të përmirësuar imazhin e saj, misionet zyrtare diplomatike të Shqipërisë janë në krizë mbijetese edhe në vendet më të fuqishme të botës.
Top Channel publikon një dokument të Ambasadës Shqiptare në SHBA, ku titullari zbulon se ambasada është praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të sigurojë jetesën e përditshme të diplomatëve me paratë që i jep Qeveria e jo më funksionet diplomatike.
Letra që mban firmën e ambasadorit, Gilbert Galanxhi i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Gazmend Turdiu, por paralelisht ka shkuar për dijeni edhe të Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm Edmond Panariti.
Letra e fortë paraqet një situatë gati të turpshme, kur zbulon se ambasada shqiptare në SHBA, përveçse nuk ka para të paguajë pastruese dhe sekretare është e vetmja ambasadë në Ëashington që nuk ka shofer dhe as karburant për makinën.
Në të jepen të tjera fakte tronditëse, kur midis të tjerave zbulohet se përtej detyrimeve të papaguara me biznesin vendas, qeveria është shndërruar në borxhlie e keqe edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Në këto kushte qeveria duket se ka vendosur ta zëvendësoje misionin e ambasadës me kompanitë lobuese që kanë një kosto shumë më të lartë.
/Marrë nga Top Channel/





