TIRANE, 08 mars 2013 –Policia e Shtetit ndaloi mbrëmjen e djeshme shefin e higjienës në Vlorë, si dhe dy inspektorë sanitarë, pasi ka patur ankesa nga subjekte private për mosrespektim dhe abuzim me ligjin antiduhan.
Lajmi është bërë i ditur sot nga drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili njoftoi gjithashtu se është dhënë masa e paralajmërimit për pushim nga puna edhe për kryeinspektorin sanitar të qytetit të Vlorës.
“Ministria e Shëndetësisë, në vijim të komunikimeve të vazhdueshme me ju dhe përmes jush me komunitetin, për të rritur përgjegjësinë e institucioneve shëndetësore, për të rritur transparencën e tyre në shërbim të shëndetit të qytetarëve, por dhe në luftë e me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe akteve korruptive ka ndjekur me kujdes ushtrimin e përgjegjësive të Inspektoriatit Sanitar dhe të inspektorëve sanitarë në mbarë vendin, veçanërisht në zbatim të ligjit për mbrojtjen e qytetarëve nga produktet e duhanit, për të cilin herë pas here ka pasur ankesa nga subjekte të ndryshme në mbarë vendin, veçanërisht në zbatim të ligjit për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produktet e duhanit, për të cilin herë pas here ka pasur ankesa të ndryshme për mosrespektim të ligjit dhe shkelje profesionale.”- deklaroi Pipero në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, “Ministria e Shëndetësisë duke e konsideruar figurën e inspektorit sanitar si fytyrë dhe figurë të punonjësit të shtetit ka reaguar rast pas rasti”.
“Ditët e fundit kemi patur ankesa nga subjekte të ndryshme të qytetit të Vlorës, për të cilat është në dijeni edhe Policia e Shtetit, e cila mbrëmë ka bërë ndalimin e Gazmir Bundo, shefi i higjienës në Vlorë, Afroviti Gjyli, inspektore sanitare dhe Pandeli Bilbili ndihmës inspektor sanitar.”- bëri të ditur Pipero, i cili njoftoi gjithashtu se Ministri i Shëndetësisë ka urdhëruar pushimin e tyre nga puna, si dhe ka paralajmëruar për pushim nga detyra kryeinspektorin sanitar të qytetit të Vlorës, Leonard Sinani.
POLICIA E VLORËS: INSPEKTORËT KANË PËRFITUAR PARA NGA PRONARËT E SUBJEKTEVE
Lajmi për arrestimin e inspektorëve u konfirmua edhe nga Policia e Vlorës, e cila bëri të ditur se arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke qenë në inspektim të kushteve higjieno-sanitare në disa subjekte tregtare në qytet, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga pronarët e këtyre subjekteve, në këmbim të mosmarrjes së masave për ato që nuk përmbushnin kushtet dhe kriteret higjieno-sanitare.
DEKLARATA E PLOTE E POLICISE
“Në vijimësi të operacioneve të njëpasnjëshme shumë të suksesshme të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë ditën e djeshme nga Sektori Kundër Krimit Financiar mbas një pune hetimore intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë është finalizuar me sukses operacionin policor i koduar “RIKTHIMI” ku si rezultat i të cilit janë arrestuar në flagrancë shtetasit e mëposhtëm:
• Gazmir Esat Bundo, vjec 43, banues në Vlorë, me detyrë, Shef i Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Vlorë.
• Pandeli Dyrmish Bilbili, vjeç 55, banues në Vlorë, me detyrë, Inspektor Sanitar në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Vlorë.
• Afroviti Loni Gjyli, vjeç 56, banues në Vlorë, , me profesion Mjeke, Inspektore Sanitare në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Vlorë.Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke qenë në inspektim të kushteve higjieno-sanitare në disa subjekte tregtare në qytet, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga pronarët e këtyre subjekteve, në këmbim të mosmarrjes së masave për ato që nuk përmbushnin kushtet dhe kriteret higjieno-sanitare.
Nga kontrolli fizik ushtruar ndaj këtyre shtetasve u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe shumat e parave të cilat i kishin përfituar në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu bëjmë me dije se vetëm gjatë ditës së djeshme përveç shumave të parave të sekuestruara dhe provave të siguruara nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit, janë administruar edhe 4 kallëzime nga pronarët e 4 subjekteve tregtare në ngarkim të 3 shtetasve të mësipërm.Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 259 dhe 25 të Kodit Penal.
Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit nga strukturat e Drejtorisë dhe së Policisë Vlorë janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, 2 për “Vjedhje” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje” dhe 1 për “Vjedhje”.





