TIRANË, 08 mars 2013– Tre personat që akuzohen se mbajtën peng për tri ditë me radhë studentin e Ekonomikut, Fatjon Xhafa, në Tiranë, kanë pranuar autorësinë e ngjarjes.
Ditën e djeshme, teksa janë marrë në pyetje nga grupi i hetimit, tre të dyshuarit kanë treguar edhe rrethanat e rrëmbimit sipas tyre.
Motivi i ngjarjes, sipas të dyshuarve lidhet me një detyrim financiar të 22-vjeçarit ndaj tyre.
Autorët e ngjarjes kanë pohuar para hetuesve se Xhafa, kishte punuar si kamerier në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe në një moment, pa lajmëruar më parë, ishte larguar nga puna.
“Shuma e parave që i kërkuam babait të tij ishte një detyrim që ai kishte ndaj meje, pasi sa kohë ka punuar tek unë, e kam marrë dhe e kam çuar në shtëpi e në shkollë me makinë. Kam shpenzuar kohë dhe para dhe ai u largua pa na dhënë asnjë lekë”,- mësohet se është shprehur në Polici pronari i lokalit, Bledar Vata.
Hetuesit thanë se edhe vetë i dëmtuari ka shpjeguar se nuk u kishte para borxh asnjërit prej autorëve që e mbyllën në banjën e lokalit për 72 orë.
“Më kërkonin paratë që kishin shpenzuar me mua për transportin me makinë. Fillimisht u thashë që unë nuk u detyrohem asgjë, sepse nuk i kisha kërkuar asnjërit prej tyre që të më lëviznin me makinë. Por, kur nisën të më kërcënonin, pranova që t’ua jepja ato para, por u kërkova pak kohë, sepse nuk kisha ku t’i gjeja aq lekë”, – ka treguar studenti që u mbajt peng.





