ANGLI, 07 mars 2013– Duhet të ruhet në muze, por vazhdon ende të përdoret gati çdo natë prej të paktën 400 vjetësh. Bëhet fjalë për krevatin më të vjetër ende në përdorim në Britaninë e madhe, i cili ndodhet në një nga dhomat e kështjellës Berkeley, në Anglinë jug-perëndimore.
Në këtë krevat kanë fjetur 15 breza fisnikësh, të familjes Berkeley, të cilët kanë mundur të shijojnë rehatinë e krevatit, por njëkohësisht kanë ngjizur dhe kanë sjellë në jetë edhe pasardhësit e tyre në të. Dhe nuk dihet për sa kohë do të vazhdojnë ende.
Siç shpjegojnë pronarët aktualë, John Berkeley dhe gruaja e tij Georgina, krevati në fjalë mbetet më i miri i rezidencës së tyre. Krevati është punuar me dru në vitet 1600 dhe mbart stemën mbretërore të familjes Stuart.
Daily Telegraph i ka dedikuar edhe një editorial të shkurtër lajmit në fjalë, duke theksuar se supermarketet e sotme mund të ofrojnë mobilje me çmime shumë të lira, por kualiteti i ofruar nga artizanët e njëherë e një kohe nuk ka të krahasuar.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/