SHBA, 7 mars 2013– Luani i quajtur Cous Cous ka mbytur vullnetaren Diana Hanson (24) në kopshtin privat safari në Fresno të Kalifornisë. Drejtoresha e kopshtit Dale Anderson qante ndërsa iu lexonte gazetarëve komunikatën me të cilën njoftonte se luani ka sulmuar vullnetaren që kujdesej për kafshët, pasi ajo ka hyrë në kafazin ku gjendej një luan katërvjeçar.
Luanin e vrau një polic lokal, i cili arriti në parkun Safari pasi u njoftua për sulmin e kafshës së egër. Mediet amerikane bëjnë të ditur se Diana fatkeqe ishte e gjallë, por e plagosur rëndë brenda në kafaz kur arriti policia.
Babai i Dianës, Paul Hanson tha se vajza e tij e filloi me kënaqësi të madhe stazhin e saj gjashtëmujor në parkun Kat Haven në Kaliforninë qendrore dhe në profilin e saj në Facebook ajo shpesh ka postuar foto me kafshët me të cilat punonte, në mesin e të cilave ishte edhe luani që e mbyti.
Luani ishte sjellë në Kat Haven kur ishte vetëm tetë javësh, në kuadër të projektit për shpëtimin e luanëve, transmeton agjencia amerikane e lajmeve AP.
Një ditë më parë, një luan, por këtë herë në savanë, shqeu një vajzë nga Zimbabve, ndërsa ajo ishte duke bërë dashuri me të dashurin e saj. Djali, për fatin e tij të mirë, shpëtoi.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/